Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përgjatë një takimi të mbajtur me Ministrin e Shëndetësisë kroat, Milan Kujundzic, janë pajtuar për bartjen e reformave në Kosovë. Në kuadër të reformave hyjnë tri pika kyçe: përmirësimi i gjendjes nëpër klinika, forcimi i kapaciteteve profesionale të Ministrisë dhe edukimi i vazhdueshëm për profesionistët shëndetësor.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ministri Ismaili, përmes një postimi në Facebook, ku ka shtuar edhe se ka vizituar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Kroacisë, me të cilën vendosën për mbulimin e sigurimeve shëndetësore tek qytetarët e Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
“Gjatë ditës, vizitova edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Kroacisë me të cilin vendosëm marrëdhëniet e para bilaterale pas luftës, për ngritjen e sigurimeve shëndetësore.”, shkruante Ismaili në postimin e tij.
Për realizimin e sigurimeve shëndetësore, i pari i shëndetësisë dha një afat kohor prej brenda dy viteve, çështje kjo e cila pritej të implementohej këtë vit.
“Brenda dy viteve të para të këtij mandati edhe qytetarët tanë do të jenë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore të Kosovës. ?? ??”, përfundoi Ismaili./Gazeta Shneta/