Dy ministra të PDK-së zbarkuan sot në QKUK ku iu premtuan punëtorëve shëndetësore se Ligji për Pagat i miratuar në Kuvendin e Kosovës, do të zbatohet edhe pas shpërndarjes së Kuvendit
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka mbajtur konferencën e tretë brenda kësaj jave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Së bashku me ministrin e Financave Bedri Hamza, sot u takuan me drejtorin e QKUK-së dhe drejtorët e klinikave, të cilëve iu kanë premtuar se ligji për pagat do të zbatohet sipas miratimit nga Kuvendi i Kosovës.
“Sot erdhëm për premtimin e pagave ta heqim çdo mëdyshje se mos ndoshta do ndryshoj ky realitet, sot siguruam edhe njëherë që premtimi që dhamë ai premtim do realizohet pagat do merren me rritje në aspektin financiar janë të rregulluara dhe kërkojmë nga aktorët tjerë të jemi mbështetës ndaj kësaj iniciative”, ka deklaruar Ismaili.
Ministri i Financave Bedri Hamza, tha se nga dhjetori të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të marrin pagat me rritje. “Buxheti i shëndetësisë, unë kam raporte korrekte me Ismailin, por si ministra ka qenë prej ministrave që më ka sjellë probleme më të mëdha gjatë hartimit të buxhetit me kërkesa të arsyeshme”, tha ai. “55 milionë euro është buxheti i rritur në shëndetësi”, shtoi Hamza.
Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se përkrahja e Ministrisë së Shëndetësisë për QKUK-në këtë vit ka qenë shumë e dobishme. “Ishte vizitë që e mirëpritem kemi pas në takim drejtorët e klinikave të QKUK-së dhe nga afër diskutuam temat e rëndësishme dhe çfarë më së shumti u dakorduam është përkrahja e deritanishme ka qenë ndihmë e madhe që na u mundësua të bëjmë projekte të shumta rritja e buxhetit dhe kanë pasur rezultate të mira”, tha Sejdiu. “Për rritjen e pagave u informuan të gjithë se do të ndodhë një gjë e tillë”, tha ai. /ekonomiaonline