Kur bëhet fjalë për të mbetur shtatzënë, thënia e lashtë “ju jeni ajo çfarë hani” tingëllon e vërtetë.
“Çfarë ju hani ndikon në gjithçka, nga gjaku juaj tek qelizat dhe tek hormonet tuaja”, thotë Cynthia Stadd, një specialiste e të ushqyerit në Qendrën Berkley për Shëndetin Riprodhues të grave në Nju Jork Siti.
Sipas Shoqatës Amerikane të Shtatzënisë, një organizatë jofitimprurëse që promovon shëndetin riprodhues, ju duhet të prisni tre muaj pas një viti ndryshimesh dietetike që këto të fundit të zënë rrënjë.
Por në qoftë se jeni në fazën kur keni vendosur të bëheni me fëmijë, mos u shpejtoni, asnjëherë nuk është vonë.
- Qumështi integral
Bulmeti është një ushqim që duhet marrë patjetër në qoftë se po përpiqeni të mbeteni shtatzënë. Ai është plot me kalcium, që është i mrekullueshëm për shëndetin riprodhues dhe atë të kockave. Dhe ushqyerja me një racion bulmet me yndyrë, siç është qumështi integral (apo edhe akullore me qumësht të pa skremuar) mund t’ju ndihmojë të kapërceni problemet e ovulacionit dhe të mbeteni shtatzënë. Synoni një total prej 1 000 mg kalcium në ditë duke shtuar ushqimet me kos dhe djathë me pak yndyrë. Personat që janë jo tolerantë ndaj laktozës mund ta marrin kalciumin nga perimet me gjethe të gjelbra dhe tek lëngjet e pasuruara me kalcium.
- Mish gjeldeti, pule dhe viçi
Shtojeni marrjen e hekurit nga ana juaj në ushqim me këto mishra pa dhjamë. Studimet tregojnë që gratë të cilat kanë mjaft hekur në dietën e tyre priren të jenë më pjellore se sa ato që kanë mungesë të tij. Shtoni rreth dy racione me këto ushqime të pasura me hekur, por mos e teproni me proteinat, sepse megjithëse ato janë ushqim thelbësor para mbetjes shtatzënë, po të jenë me tepricë në të vërtetë mund ta pakësojnë pjellorinë. Në qoftë se nuk e hani mishin (apo thjesht dëshironi pak larmi) drejtojuni proteinave bimore si fasuleve etj., dhe sigurohuni që vitaminat që merrni të jenë të pasura me hekur.
- Drithërat integrale
Nuk ka nevojë që t’i vërsuleni shportës me bukë, për sa kohë ushqeheni me gatime me drithëra integrale. Ky burim i karbohidrateve komplekse (që gjithashtu gjenden në fasule, perime dhe fruta) përmban lëndë ushqyese të mjaftueshme, duke përfshirë edhe acidin folik të domosdoshëm për të qenë pjellore. Dhe ndërsa karbohidratet e rafinuara (siç është buka e bardhë, orizi i bardhë dhe gatimet me sheqer) shkaktojnë rritjen e sheqerit në gjak, gjë që mund të ngatërrojë hormonet tuaja riprodhuese dhe ciklin menstrual, drithërat integrale e mbajnë atë të stabilizuar e madje edhe promovojnë ovulacion të rregullt.
- Salmoni
Shumë gra janë ngurruese për të marrë ushqime deti kur janë duke u përpjekur të mbeten shtatzënë, por varietetet e yndyrave si salmoni, sardelet dhe harengat janë në të vërtetë ushqime që e shtojnë pjellorinë. Përse? Ato janë plot me acidet yndyrore omega-3 të cilat ndihmojnë të rregullohen hormonet riprodhuese, shtojnë rrjedhjen e gjakut në organet riprodhuese e madje minimizojnë edhe stresin. Përveç ushqimeve të detit, ju mund t’i gjeni këto lëndë ushqyese edhe tek arrat dhe vezët ose mund të flisni me mjekun tuaj për të marrë vitamina plotësuese për ushqimin tuaj.
- Frutat e pyllit
Këto fruta janë të pasura me antioksidues të cilët mbrojnë qelizat e trupit tuaj nga dëmtimi dhe plakja. Jo vetëm ushqehuni vetë me to, por jepini edhe partnerit tuaj, studimet tregojnë që këto ushqime mund ta mbajnë spermën e tij të fortë dhe të shëndetshme.
- Guaskat
Këta afrodiziakë të famshëm jo vetëm vënë në lëvizje mbetjen shtatzënë, por po ashtu janë edhe burim i shkëlqyer i zinkut, i cili është i domosdoshëm kur ju përpiqeni të mbeteni shtatzënë (mungesa e kësaj lënde ushqimore mund të ndërpresë ciklin tuaj dhe të ngadalësojë prodhimin e vezëve). Nuk i pëlqeni guaskat? Drejtojuni ushqimeve të tjera të pasura me zink, si mish viçit pa dhjamë dhe shpendët, bulmetrave, drithërave integrale, arrave, vezëve dhe lakrave. Gjithashtu merrni vitamina që përmbajnë zink./Tirana Observer/