Avokati Gazmend Nushi ka përdorur si prova për hedhje poshtë të aktakuzës ndaj klientit të tij Visar Nushit ekspertizat mjeko-ligjore të kryera në Kosovë edhepse ato janë demantuar nga një ekspertizë e kryer në Gjermani.
Vet mjekët ligjorë kosovarë kanë pranuar para prokurorisë se nuk kanë pasur materialet e nevojshme për ta kryer ekspertizën e mirëfilltë të pacientes N. Berisha, raporton rtklive.com
Vetëm disa minuta ka zgjatur seanca e dytë gjyqësore kundër ortopedit Visar Nushi, i cili po akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Gjyqtari Kujtim Krasniqi, ka njoftuar se i akuzuari Visar Nushi përmes avokatyit të tij të autorizuar ka dorëzuar në gjykatë parashtresën ku ka kundërshtuar provat dhe ka kërkuar që të hidhet poshtë aktakuza.
Një kopje e kundërshtisë së avokatit Nushi i është dorëzuar familjarëve të të dëmtuarës N.Berisha, derisa prokurori Rexhep Maqedonci ka thënë se në lidhje me kundërshtimin e avokatit Gazmend Nushi do të deklarohet me shkrim brenda afatit të paraparë me ligj, raporton rtklive.com.
Kështu, pas deklaratës së Prokurorit, Gjykata ka nxjerrë Aktvendim që prokurori brenda një afati prej 10 ditëve të deklarohet në lidhje me përgjigjen për kundërshtim.
“Ndërsa gjykata jashtë seancës me aktvendim të veçantë do të vendos lidhur me kundërshtimin”, ka thënë gjyqtari Krasniqi.
Ndërkohë në kundërshtimin që ka bërë avokati Gazmend Nushi, kërkohet që të hidhet poshtë aktakuza ndaj Visar Nushit.
“Nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet në aktakuzë”, thuhet në kundërshtimin e Gazmend Nushit.
Po ashtu, në kundërshtimin e bërë nga avokati Nushi thuhet se nuk ka prova për “Trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”, për çka akuzohet doktori Visar Nushi.
Po ashtu, avokati përdorë si provë ekspertizën e ekspertëve të QKUK-së Naim Uka, Milazim Haxholli dhe Flamur Blakaj, se për pacienten N. Berisha, “trajtimi mjekësor është bërë konform standardeve dhe protokoleve trajtuese të cilat aplikohen në botë”, raporton rtklive.com.
Por, mjekët ligjorë kosovarë, Flamur Blakaj, Naim Uka dhe ortopedi Milazim Haxholli, kanë pranuar para prokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, se nuk kishin materialet e nevojshme për ta kryer ekspertizën e mirëfilltë të pacientes N. Berisha.
Si rezultat, ekspertiza e kryer në Gjermani ndaj pacientes N.Berisha, ka demantuar vlerësimin që kishin dhënë ata për pacienten me skoliozë.
Po ashtu, në kundërshtimin e mbrojtjes së Visar Nushit, thuhet se nuk ka prova ku dëshmohet që ndaj pacientes janë shkaktuar dëme. Tutuje, avokati Nushi në kundërshtimin e bërë ka potencuar se procedura hetimore ka zgjatur 2 vite, 8 muaj dhe 20 ditë kurse duke iu referuar Kodit Penal, thotë se ky hetim do të duhej përfunduar brenda dy viteve.
Ai ka thënë po ashtu se gjatë pezullimit të procedurës hetimore janë keqpërdorur autorizimet ligjore nga ana e Prokurorisë, me të cilën, sipas avokatit, Prokuroria ka tentuar të fsheh dhe arsyetoj neglizhencën e saj në punë.
“Para kërkesës për ekspertizë ndërkombëtare, Prokuroria i kishte siguruar dy ekspertiza mjekësore vendore dhe atë, të parën me datë 04.06.2014 dhe të dytëm në 03.10.2014. Përkundër këtyre ekspertizave Prokuroria me datën 1.06.2015, apo me një vonesë prej tetë muajsh, e pezulloi procedurën. Nëse rezultatet e dy ekspertizave vendore nuk paskan qenë të mjaftueshme për prokurorinë, shtrohet pyetja se çfarë priti kjo prokurori plot 8 muaj për ta kërkuar ekspertizën ndërkombëtare”, thuhet në kundërshtinë e bërë nga avokati i Dr. Visar Nushit. Ai ka potencuar se brenda këtyre 8 muajve nuk ka pasur asnjë veprim hetimor, fakt ky që sipas tij, dëshmon pezullimin e kundërligjshëm të procedurës hetimore.
Andaj, këto janë disa nga arsyet që sipas avokatit Gazmend Nushi, gjykata duhet të hedh poshtë aktakuzën ndaj klientit të tij.
Por, prokurori Rexhep Maqedonci ka thënë se në këto pika të kundërshtimit do të përgjigjet me shkrim brenda afatit 10 ditor, transmeton rtklive.com.
Ndryshe, vogëlushes N. Berisha nga Prishtina, boshti kurrizor i ka marrë formën e germës S derisa po mjekohej tek doktori, tashmë i akuzuar, Visar Nushi.
Ky i fundit, sipas ekspertizave që i janë kryer pacientes në Gjermani, kishte bërë gabime gjatë matjes së shkallës së skoliozës që shkojnë deri në 16 shkallë, duke pasuar pastaj edhe terapi të gabuara.
Ekspertiza e kryer në Gjermani nga ana e doktorit Matias Havel, ortoped pediatrik në Qendrën Klinike Universitare të Essenit, ka demantuar ekspertizën e kryer nga mjeko-ligjorët vendor, raporton rtklive.com.