Miliona euro të cilat janë paraparë për ndërtimin e Klinikës Emergjente në QKUK, mund të shkojnë dëm. Kjo për shkak se ky objekt sipas ekspertëve mund të rrezikoj jetën e pacientëve të cilët do të marrin trajtimet adekuate në të.
Dy muaj kanë mbetur deri në finalizimin e këtij objekti, por edhe përse pritet që të përfundoj ndërtimi në qershor, funksionalizimi i tij vështirë se mund të ndodhë.
Se projekti ka mangësi e pranojnë edhe kompania ndërtuese, derisa në Ministrinë e Shëndetësisë kanë zgjedhur të heshtin për këtë çështje.
“Jeta e pacientëve është e cënuar për mungesë të theksuar për qasje të shpejtë në hapësirat të cilat duhet të ofrojnë shërbimin mjekësore që në minutat e parë të arritjes së pacientit në emergjencë në mënyrë të veçantë hapësirat e triazhimit me reanimimin, diagnostikën imazherike, laboratorin, emotekën dhe sallat e operacionit, kardiokirugjisë dhe kardiokirurgjisë invasive”, thuhet në raport.
I kontaktuar nga Gazeta Express, Leonit Gecaj nga Al Trade ka thënë se ata kanë nënshkruar kontratë për ndërtimin e klinikës Emergjente më 19 maj 2016, dhe se punimit pritet të përfundojnë gjatë qershorit të këtij viti. Por, ai më tej ka deklaruar se kur kompania ka studiuar projektin për të cilin janë angazhuar ta ekzekutojnë, ata kanë evidentuar probleme të theksuara.
E, në Ministrinë e Shëndetësisë duket se nuk e kanë parë të nevojshme që të kthejnë përgjigje lidhur me këtë çështje, ani pse ndërtimi i Emergjencës në QKUK e “tkurr” buxhetin e shtetit për më shumë se 8 milionë euro. Përgjigje nuk kanë kthyer as në kompaninë mbikëqyrëse për këtë projekt.
Ndërkohë, ish Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në kohën e të cilit është nënshkruar kjo kontratë, mohon që projekti ka mangësi.
Në ceremoninë e vënies së këtij gur themeli, ishin të pranishëm Kryeministri Isa Mustafa, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, zyrtarë të lartë të MSH-së e SHSKUK-së, përfaqësueses te kompanisë ndërtuese Al Trade sh.p.k, profesionistë shëndetësore, qytetarë dhe autoritete të ndryshme publike./GazetaExpress/