Për shkak të mungesës së kushteve për trajtim në institucionet publike shëndetësore të Kosovës, pacientët kosovarë po detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit.
Numri i pacientëve që kërkojnë shërim jashtë Kosovës është mjaft i madh. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, ndihmë kanë kërkuar 430 pacientë me sëmundje të ndryshme, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas raportit të Zyrës së Trajtimit Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike të MSH-së në periudhën Janar-Mars 2017 ka pasur 225 raste urgjente, me probleme të zemrës 159, oftalmo 78, 15 fëmijë me leukemi dhe 193 raste të tjera.
“Për mbulimin e këtyre rasteve, MSh në tre mujorin e parë ka shpenzuar 2.1 milionë euro, prej të cilave një pjesë e konsiderueshme janë shpenzuar për mbulimin e të gjitha rasteve të leukemive”, ka bërë të ditur Zyra për Informim e MSH-së.
Kërkesa për shërim jashtë vendit përgjatë një viti kalon shifrën prej mbi 1 mijë pacientë. Ata kërkojnë ndihmë jo vetëm nga MSH-ja, por për raste të kushtueshme edhe nga qytetarët.
Sipas një raporti të Bankës Botërore, kosovarët kanë shpenzuar rreth 150 milionë euro vetëm vitin e kaluar për shërim jashtë vendit.
Ndërsa sipas ekspertëve, shpenzimet do të zvogëloheshin sikur në Kosovë do të implementohej ligji për sigurime shëndetësore.
Ky ligj dështoi edhe këtë vit, pasi u shty mbledhja e premiumeve e paraparë të fillonte më 1 korrik. /Gazeta Shneta/