Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se nga muaji tetor deri më 7 janar janë paraqitur 15.737 raste të dyshimta në grip (ILI) 2329 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 36 raste SARI (Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute).
IKSHP ka njoftuar opinionin se është duke mbikëqyrur gjendjen e sëmundjeve ngjitëse në Kosovës përmes Klinikës Infektive në QKUK.
Instituti thotë se aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mundësia e rritjes së rasteve ekziston, transmeton Gazeta Shneta.
“Vala e gripit në territorin e Kosovës nuk ka pasur intensitet të lartë epidemik, ku njëri nga ndikuesit kryesor pos masave parandaluese ka qenë vaksinimi me kohë gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor i të gjitha grupeve të rrezikut”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.
Instituti ka bërë të ditur se nga 1 tetori deri më 7 janar janë raportuar gjithsej 15.737 raste të dyshimta në grip (ILI) 2329 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 36 raste SARI (Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute).
Të gjitha rastet janë raportuar nga të gjitha komunat e Kosovës, me përjashtim ato me qytetarë serbë.
“Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik”, vlerëson IKSHP.
“Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit- IKSHPK deri më 10 janar 2017 janë testuar gjithsej 40 mostra të dyshimta në grip. Prej tyre 7 mostra kanë rezultuar pozitive: 1 mostër ka rezultuar pozitive në Influencën A(H1), 5 mostra në Influenca A dhe 1 mostër Influenca B”.
Gjithashtu janë testuar edhe dy mostra në virus të tjerë respirator të cilat kanë rezultuar negative.
Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale gjatë javë së 1-rë (01-07 janar 2018) janë hospitalizuar 3 raste me status gripal dhe 3 raste me Bronchopneumonia dhe Pneumonia (ARI).
Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.
IKSHP thotë se është duke vëzhguar me kujdes shfaqjen e virusit A(H3N2) në Australi, ndërsa është në gjendje gatishmërie për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike. /Gazeta Shneta/