QKUK-ja së shpejti do të furnizohet me CT 16, Laparaskop, Bronkoskop dhe disa pajisje të tjera të cilat do të vijnë nga granti japonez mbi 1 milion euro
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili të dielën njoftoi se është nënshkruar granti 1.1 milion euro nga Qeveria e Japonisë për blerjen e aparaturave moderne për QKUK-në.
Granti do të mundësojë furnizimin e Qendrës Klinike Universitare me aparatura qindra mijëra euroshe si CT 16 dhe Laparaskop, shkruan Gazeta Shneta.
Në këtë grant është paraparë edhe blerja e një gastroskopi i cili nuk funksionon prej më shumë se 1 vit në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale. Në këtë klinikë poashtu do të vendoset edhe një Kolonoskop i ri.
Klinika e Sëmundjeve të Mushkërive do të furnizohet me Bronkoskop, pajisje kjo më e rëndësishmja në këtë klinikë. Bronkoskopi është prishur që 9 muaj, ndërsa mundëson diagnostikimin e kancerit në mushkëri.
Nga Japonia do të vijnë disa lloje të ultrazërit, Artoskop, Ureterorenoskopi, Monitorë, Mikroskop për kirurgjinë ortopedike, Rentgen dixhital si dhe Eko Dopler për kirurgji.
Mungesa e pajisjeve të reja është një nga problemet më të mëdha në shëndetësinë kosovare. Kjo bënë që të shpenzohen miliona euro për shërimin e pacientëve jashtë vendit.
Drejtori i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, ka deklaruar se këto pajisje përveç që do të përmirësojnë shërbimet në QKUK, do të shtojnë poashtu edhe llojet e tyre që nuk janë kryer më herët e që për to MSH ka paguar për shërim jashtë vendit.
“Blerja e këtyre pajisjeve nëpërmjet grantit na ka krijuar mundësinë që të shfrytëzojmë buxhetin tonë për blerjen e pajisjeve tjera. Të gjitha këto sigurisht se do të ndikojnë në uljen e shpenzimit të buxhetit për shërim jashtë vendit”, ka thënë Sejdiu.
Ai shtoi se brenda 2 javësh do të finalizohet projekti për blerjen e pajisjeve nga SHSKUK. /Gazeta Shneta/