Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka bërë një mashtrim të opinionit kur ka postuar fotografitë e barnatoreve të reparteve duke i cilësuar ato si barnatore të klinikave në QKUK. Këto fotografi shfaqin gjendjen e barnatoreve të reparteve, por nuk shfaqin gjendjen reale të barnatoreve të klinikave të cilat janë në gjendje më të mirë
Me këto fotografi të barnatoreve të reparteve të cilat shihen se janë në gjendje mjaft të keqe, Ismaili ka përmendur projektin “Transformimi Farmaceutik”, i cili sipas tij parasheh që të krijohen 14 barnatore të klinikave dhe rreth 90 të reparteve.
E vërteta është se gjendja në barnatoret klinike nuk është kjo që e ka paraqitur Ismaili me këto fotografi. Barnatoret klinike menaxhohen nga zyrtarët e Barnatores Qendrore, ndërsa barnatoret e reparteve janë nën përgjegjësinë e infermiereve, shkruan Gazeta Shneta.
Në fakt kjo ngatërresë është bërë qysh në nisje të këtij projekti. Menaxherja e projektit Edona Dujaka i ka vendosur fotografitë e barnatoreve të reparteve në projektin e saj të cilin e ka paraqitur edhe para Bordit Drejtues të SHSKUK-së për miratim në korrik të vitit të kaluar. Këto fotografi i ka paraqitur si gjendjen momentale të barnatoreve të klinikave.
Të njëjtat fotografi i ka shfrytëzuar edhe Ismaili për të reklamuar punën e tij në Facebook, por që në fakt ka bërë një mashtrim të opinionit pasi këto fotografi nuk pasqyrojnë gjendjen reale të barnatoreve të klinikave.
Më poshtë mund të shihni disa fotografi të barnatoreve të klinikave në QKUK dhe gjendjen e barnatoreve të reparteve. Gazeta Shneta ka raportuar për dyshimet që janë ngritur lidhur me këtë projekt. Ministria e Shëndetësisë dhe QKUK nuk kanë pranuar të japin detaje dhe koston e projektit, e këtë gjë nuk e ka bërë as Ismaili në postimin e tij. Menaxhmenti i QKUK-së ka punësuar përgjegjës për barnatore të klinikave të cilat nuk janë funksionalizuar ende, ndonëse projekti ka nisur para rreth 9 muajsh. /Gazeta Shneta/