Pas zgjedhjes së Dr. Hajriz Rudarit drejtor në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, ish-drejtori Dr. Elmi Olluri ka ushtruar ankesë në Inspektoratin e Punës. Të njëjtën e ka tërhequr pas një marrëveshje me Rudarin për ta rikthyer atë në pozitën e Shefit të repartit pa kohë të caktuar
Konkursi për drejtorë të klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po përcillet me probleme të ndryshme, ndikime e inate ndërmjet mjekëve. Në këtë situatë është zgjedhur edhe drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Dr. Hajriz Rudari.
Rudari është zgjedhur drejtor në këtë klinikë pasi doli i pari në testin me shkrim me 371 pikë, 89 prej tyre në testin me shkrim, 277 në intervistë dhe pesë pikë sipas gradës shkencore. Ai ka lënë prapa ish-drejtorin Dr. Elmi Ollurin i cili është vlerësuar nga Komisioni me 337 pikë, shkruan Gazeta Shneta.
Olluri nuk ka mundur të pajtohet me këtë përzgjedhje dhe kësisoj ka ushtruar ankesë në Inspektoratin e Punës. Gazeta ka mësuar madje se ai e ka kërcënuar Rudarin me një rast të vdekjes së një pacienti para disa vitesh. Por që të dyja i ka tërhequr pasi është marrë vesh me Rudarin për ndarjen e pushtetit në këtë klinikë. Sipas kësaj marrëveshje, Rudari mbetet drejtor, ndërsa Olluri emërohet në pozitën e Shefit të repartit me kohë të pacaktuar. Sipas burimeve, kjo marrëveshje ka kaluar edhe nëpër Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së.
Rudari mohon të ketë një marrëveshje me Ollurin, ndërsa deklaron se është zgjedhur drejtor si rezultat i konkursit.
“Besoj që jeni të informuar edhe ju, njëri prej kandidatëve ka bërë ankesë në vlerësimin e komisionit në Inspektoratin e Punës dhe kjo në bazë të proceduarave ligjore ka shtyrë për një kohe lëshimin e vendimit për drejtor të klinikes Vaskulare nga drejtori i SHSKUK. Vendimin e kam marrë me date 06.09.2018 dhe prej asaj dite ushtroj detyrën e drejtorit me kompetenca të plota”, ka deklaruar Rudari. Gazeta ka kontaktuar edhe Ollurin, por i njëjti nuk është përgjigjur as pas tri ditë pritje.
Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, ka konfirmuar për Gazetën se Rudari është përzgjedhur drejtor i Klinikës. Por nuk është përgjigjur në pyetjet për marrëveshjen ndërmjet mjekëve, ndërsa ka konfirmuar se Olluri është rikthyer në pozitën e Shefit të repartit.
“Ish-drejtori Olluri është rikthyer si shef reparti, ashtu si ka pasur kontratën para se të zgjidhej drejtor. Pra, ai ka pasur kontratë si shef ku është rikthyer, poashtu drejtorët tjerë që nuk janë rizgjedhur janë kthyer në pozicionet e mëparshme”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/