Mamia e njohur Razije Musa ka ndarë me publikun pjesë nga fillimi i karrierës së saj si mami. Ajo ka treguar se lindjen e parë që e ka udhëhequr ka qenë lindje me binjakë, transmeton Gazeta Shneta.
Lexoni rrëfimin e saj të plotë:
Të dashura nana uroj të jeni mirë, sot dua të ndaj me ju një copë historie nga jeta ime. Duke qenë se jam në Kosovë, këto ditë isha në kontakt me shumë miq të vjetër dhe në bisedë e sipër kujtuam rrugën në të cilën kemi kaluar për të ardhur këtu ku jemi sot.
Unë gjithmonë e kam dashur fotografinë dhe rrobaqepësinë, pra kam dashur gjithmonë të krijoj diçka, por dashuri jashtëzakonisht të madhe kam pasur edhe për fëmijët, prandaj në mes të këtyre tri profesioneve zgjodha të jem njeriu që kujdeset për beben dhe nanën.
Më kujtohet se në përfundim e sipër të shkollimit tim si Mami më është dashur të kaloj një sprovë të fundit për të marrë titullin që do më shoqëronte gjithë jetën. Më është dashur të udhëheq 350 lindje, të gjitha këto të monitoruara nga profesionistë të fushës.
Lindja e parë që e kam udhëhequr unë ka qenë lindje me binjak, a e dini se çfarë sikleti kam pasur, jam ndier se kam mbi supe përgjegjësitë e ndonjë kryetari të shtetit, kisha presionin e mbikqyrjes, stresin që për herë të parë do përballem me një lindje me binjak, mendime të ndryshme nëse gjithçka do të shkojë mirë, por ….në një moment u ndala dhe mendova, i thash vetes që kjo grua ka nevojë për mua, unë duhet të jem shumë e qetë dhe të mos preukupohem me vetën time, e vetmja brengë e imja tani duhet të jetë shëndeti i saj dhe i bebeve që do të vijnë pas pak.
Lindja ishte pa komplikime dhe të nesërmen nana me dy vajzat dolën nga materniteti plot shëndet e lumturi, për mua ishte një relaksim i momentit, por… sfida vazhdonte…. edhe 349 lindje tjera për të ardhur te ajo që doja.
Ditë pas dite me një natalitet të hatashëm në atë kohë në Kosovë arrita të përmbushi normën e kërkuar dhe të marr titullin që e doja, atëbotë ai moment ishte triumfi im më i madh .
Motivi i këtij tregimi të shkurtë nga jeta ime është që t’a keni parasysh se gjërat e lehta nuk të përmbushin në shpirt, arrini suksesin e merituar sepse vetëm ashtu do të jeni krenarë me vetën tuaj.
Asnjëherë mos u dorëzoni por vazhdimisht trasoni rrugën e suksesit në çdo kohë dhe në çdo moshë.
Me dashuri, Razija.