Mamia e njohur Razije Musa ka trajtuar temën e paragjykimit të nënave që u pamundësohet që të japin gji, përmes një postimi në Facebook këtë të martë.
“Arsyeja pse po shkruaj sot për këtë temë është se sidomos në vendin tim po e shoh një gjykim të padrejtë ndaj nanave që ushqejnë fëmijët me qumësht formulë.”, thekson mamia, shkruan Gazeta Shneta.
Për nënat që po paragjykohen për një gjë të tillë, mamia ka treguar se mban kontakt me to dhe se gjithnjë ekziston një arsye e fortë prapa pamundësisë për gji dhënie.
“Shumë nana kanë pasur lindje të vështira dhe rikuperim të ngadalshëm pas lindjeve, ka nga ato që kanë pasur bllokim të qumështit në dukte dhe fatkeqësisht edhe trajtim joprofesional në Kosovë, ka nga ato që kanë përjetuar depresion pas lindjes dhe nuk kanë prodhuar qumësht të mjaftueshëm për nevojat e fëmijës, ka nana të binjakëve e trineqëve të cilat nuk kanë mundur të ushqejnë dy apo tre fëmijë me qumësht gjiri e shumë raste të tjera.”
Ndërkaq, Musa ka folur edhe për përvojën e saj si një mami, e cila ka potencuar se edhe në shtetet si Britania e Madhe ka nëna që ushqejnë foshnjën me formulë, nuk është Kosova vendi i vetëm.
“Përvoja ime si Mami në disa vende të botës më ka mësuar se duhet të matemi mirë para se të japim komente për të tjerët, sa shumë nana në Angli ushqejnë fëmijët me formulë, edhe ato i kanë arsyet e veta për të cilat askush nuk pyet sepse do të ishte e pasjellshme nga ana e tyre.”, theksoi më tutje Musa.
Gjithashtu, Musa ka lënë edhe një porosi për të gjitha nënat, për sa u përket ushqyerjes së foshnjave.
“Nëse dëshiron të bësh diçka të mirë për fëmijën tënd atëherë ushqeje me qumësht gjiri”, thotë ajo./Gazeta Shneta/