Anestezia epidurale është metoda më e popullarizuar e lehtësimit të dhimbjes gjatë lindjes. Gratë kërkojnë një epidural me emër më shumë se çdo metodë tjetër të lehtësimit të dhimbjes. Më shumë se 50% e grave që lindin në spitale përdorin anestezi epidurale.
Në momentin që përgatiteni për lindje është e nevojshme që të dini të gjitha mënyrat e lehtësimit të dhimbjes së lindjes, në mënyrë që të merrni vendimin më të mirë për ju dhe fëmijën tuaj.
Anestezia epidurale është një anestezi lokale, që e bllokon dhimbjen në një pjesë të veçantë të trupit. Qëllimi i saj është të sigurojë analgjezi (mungesë dhimbje), në ndryshim nga anestezia totale, ku ndjeshmëria është e frenuar në të gjithë trupin. Anestezia epidurale bllokon impulse nervore në segmentet e poshtme të palcës së kurrizit (medulla spinale), duke dhënë një ulje të ndjeshmërisë nga mesi e poshtë.
Në këtë mënyrë, lehtësimi prej dhimbjes arrihet me doza minimale. Këto medikamente mund të përdoren në kombinim me adrenalinën, morfinën, klonidinë me qëllim zgjatjen e efektit anestetik ose për të stabilizuar tension arterial të nënës.
Anestezia epidurale nuk mund të praktikohet në përdorimin e gjatë të holluesve të gjakut, në gjendje shoku, ose në një infeksion në shpinë apo infeksion në gjak. Ajo nuk mund të përdoret as kur mjeku nuk e lokalizon dot hapësirën epidurale, si dhe në një lindje të shpejtë që s’na jep mundësinë për përdorim të medikamentit.
Procedura
Përpara se të fillohet me procedurën e anestezisë epidurale dhe më pas lindjen, i jepet nënës 1-2 L likide, për të evituar hipotensionin. Një anestezist, një obstetër ose një ndihmës mjek mund ta realizojë anestezinë epidurale. Për të rritur efektin e anestezisë dhe evituar problemet e mundshme, që mund të hasen duhet të harkohet shpina para dhe të qëndrohet ulur ose shtrirë majtas.
Fillimisht dizinfektohet gjysma e shpinës dhe vendi ku do të bëhet shpimi, me qëllim evitimin e infeksioneve. Më pas injektohet një anestetik lokal në një zonë të vogël të shpinës me qëllim mpirjen, në vazhdim shpohet me një age në zonën e zgjedhur, e cila kufizon palcën e kurrizit në pjesën e poshtme të shpinës.
Një tub i vogël ose kateter kalohet nëpërmjet ages në hapësirën epidurale, më pas agia hiqet ngadalë duke e lënë kateterin në mënyrë që të jepen medikamentet falë injeksioneve të herëpashershme (periodike). Kateteri fiksohet në shpinë me qëllim kufizimin e lëvizjeve dhe zhvendosjen e tij. Aktualisht përdoren 2 tipe anestezi epidurale: anestezi epidurale e rregullt dhe anestezi spino-epidurale e kombinuar.
Avantazhet
Përdorimi i anestezisë epidurale lejon një lehtësim të madh kur lindja është e tejzgjatur. Lehtësimi i dhimbjes së lindjes mund ta ndihmojë femrën ta kujtojë si një eksperiencë më pak traumatike. Në pjesën më të madhe anestezia epidurale ju lejon të jeni të kthjellët dhe të merrni pjesë aktivisht gjatë lindjes.
Në qoftë se kryeni një lindje cezariane, anestezia epidurale do t’ju lejojë të rimerrni veten shpejt gjatë rikuperimit. Kur teknikat e tjera nuk funksionojnë, anestezia epidurale mund të jetë ajo që ju nevojitet kundër lodhjes dhe acarimit.
Anestezia epidurale mund t’ju ndihmojë të çlodheni dhe të mund ta përballoni lindjen duke marrë pjesë aktivisht në të. Kjo është arsya përse, shumica e shtatzanave zgjedhin të lindin me anestezi epidurale. Përdorimi i anestezisë epidurale gjatë lindjes vjen vazhdimisht duke u perfeksionuar dhe pjesa më e madhe e suksesit të saj varet nga kura e përdorur.
Disavantazhet
Anestezia epidurale mund të shkaktojë një rënie të tensionit arterial, për këtë arsye tensioni duhet të mbahet nën kontroll me matje të vazhdueshme që të sigurohemi që fluksi i gjakut është i mjaftueshëm dhe për bebin. Në këtë rast mund të lindë nevoja të trajtoheni me lëngje intravenoze, medikamente dhe oksigjen. Mund të shkaktohet dhimbje koke nga dalja e likidit spinal, megjithëse ky efekt anësor i epidurales haset në më pak se 1% të grave.
Pasi të kryhet epidurali duhet të qëndroni shtrirë sa nga njëra anë në tjetrën duke i kombinuar, me qëllim të keni nën kontroll ndryshimet e rrahjeve të zemrës së bebit. Të qëndroni shtrirë vetëm në njërën anë, rrezikoni të ngadalësoni lindjen ose ta frenoni atë. Mund të vërehen dhe efekte të tjera anësore si: zhurmë në vesh, dhimbje në shpinë, dhimbje kur shpojmë me age, nauze ose vështirësi në urinim.
Disa orë pas lindjes mund të ndiheni e mpirë nga mesi e poshtë dhe do të keni nevojë për ndihmë për të ecur. Por ka dhe raste të rralla, ku mund të kemi një dëmtim të nervit të prekur në zonën ku është vendosur kateteri. Për pjesën më të madhe, epiduralet janë efektive në lehtësimin e dhimbjeve gjatë lindjes.
Disa gra ankohen se kanë qenë në gjendje të ndiejnë dhimbje edhe pas marrjes së epiduralit, ose disa mendojnë se anestezioni ka punuar më mirë në ndonjë anë të trupit në veçanti. / Gazeta Shneta