Drejtori i Klinikës së Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për gjendjen shëndetësore të avokatit Azem Vllasi.
Vllasi u plagos sot në mëngjes nga një person ende i panjohur, derisa Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin dhe po merret me hetime, shkruan Gazeta Shneta.
Lenjani ka bërë të ditur se janë marr masat diagnostike, laboratorike, radiologjike dhe janë bërë konsultimet në nivel të specialiteteve nga lëndimet e caktuara.
“Për momentin i lënduari është transferuar në Klinikën e Traumatologjisë për trajtim të mëtutjeshëm”, ka deklaruar Lenjani.
Ai ka thënë se bëhet fjalë lëndime në regjionin e shpatullës dhe urzës.
“Ka thyerje por nuk ka gjakderdhje që mund ta kompromentojë gjendjen shëndetësore. Ka vetëm një vrimë hyrëse plumbi, por nuk ka dalëse”.
Lenjani tha se pas konsultimeve, nuk është planifikuar ndërhyrje operative, por megjithatë mbetet të shihet për paraqitje të ndërlikimeve gjatë 6 orëve të ardhshme.
“Gjendja e tij është jashtë rrezikut, por duhet të pritet 6 orë, kohë kjo kur mund të paraqiten ndërlikime”, u shpreh Lenjani.
Ai ka shtuar se nuk ka shenja se mund të ketë pasoja të lëndimit.
“Nuk ka ndonjë deficit neurologjike që mund shkojnë në favor të invaliditetit. Fatmirësisht bëhet fjalë për lëndime jo të qafës apo të enëve të gjakut, por vetëm të muskulit”, ka thënë drejtori i Emergjencës.
Vetë Vllasi nuk ka pranuar të flas për media pasi ka thënë se nuk është në gjendje të mirë emocionale.
Ai u plagos sot në mëngjes nga një person, që sipas burimeve shkoi te avokati për ta angazhuar në një rast. Plagosja me armë ndodhi në momentin kur Vllasi nuk pranoi të merret me të. /Gazeta Shneta/