Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Dr. Basri Lenjani ka alarmuar për gjendjen e mjekëve dhe infermierëve në Kosovë. Ai thotë se Kosova shumë shpejt mund të mbetet pa mjekë dhe infermierë, pasi shumica prej tyre duan të emigrojnë në Gjermani.
“Kosova po i shkollon kuadrot shëndetësore, përkatësisht mjekët dhe infermierët dhe në fund po ia dorëzon Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Lenjani. Mjekët dhe infermierët po synojnë vendet evropiane për rroga më të mira.
Deri më tani është raportuar se qindra sosh janë punësuar në Gjermani, ku paguhen deri 10 fish më shumë sesa në Kosovë.
Paga e një mjeku specialist në Kosovë është rreth 600 euro, ndërsa specializantët e shëndetësisë marrin më pak se 500 euro e infermierët nuk i marrin as 400 euro. Në Gjermani është raportuar se specializantët e shëndetësisë i marrin rreth 4000 euro në muaj, përderisa specialistët marrin edhe më shumë. /Zeri