LDK reagon për skandalin me barna në MSH pas raportimit të Gazetës Shneta

2019-02-11 në ora 10:03

Pas raportimit të Gazetës Shneta lidhur me dy kontrata të Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e barnave me çmime deri 300 për qind më shtrenjtë, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Grupi Parlamentar i LDK-së kanë mbajtur sot një konferencë për media ku kanë akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, për parregullësi dhe ngecje në sistemin shëndetësor. Deputeti Naser Rugova ka thënë se sistemi shëndetësor është në kolaps. Ai ka reaguar në lidhje me dy kontrata me procedurë të negociuar ku MSH ka blerë barna me çmime deri 300 për qind më shtrenjtë, shkruan Gazeta Shneta.

“Ministri Uran Ismaili në dhjetor të vitit të kaluar ka deklaruar se e ka ndalë korrupsionin në MSH duke ndërprerë kontrata milionëshe, por pas një muaji kemi të gjetura faktike që dalin nga raporti i auditimit që po ky ministër me vartësit e tij kanë nënshkruar kontrata për barna me 300% të shtrenjta. Të gjeturat skandaloze janë dy kontrata të lidhura me procedura të negociuara për artikuj medicinal me çmime të shtrenjta, thuhet në raportin e auditimit të brendshëm. I bëj thirrje ministrit ta lejë Facebook-un dhe selfiet duke bërë edhe me pacientë që nuk i lejohet, e t’i kthehet punës”, ka thënë ai. Ky reagim i deputeti të LDK-së, vjen pas raportimit të Gazetës Shneta në lidhje me këto dy kontrata.

Ndërsa deputeti Haxhi Avdyli ka thënë se ligjet më të rëndësishme ende nuk janë në agjendë legjislative të MSH-së.

“Në agjendën legjislative për vitin 2019 do të vijë vetëm ligji për shëndetësi dhe jo ligji për sigurime shëndetësore. Kjo tregon se kjo ministri është joserioze. Vetë ardhja e ligjit për shëndetësi e jo për sigurime shëndetësore tregon më së miri se si ligjet më të rëndësishme nuk vijnë në fillim. Ministri i Shëndetësisë manipulon me projekte që janë kryer gjatë vitit të kaluar por nuk e thotë që janë nisur shumë më herët. Po ashtu nuk tregon se si ndodhi që projekti i madh i Qendrës Emergjente nuk filloi gjatë vitit 2018 me asnjë investim të vetëm, ndërsa këtë vit është thënë se do të ketë disa investime tjera”, ka thënë ai.

Avdyli ka thënë se Ligji për Paga i miratuar ka bërë kaos te mjekët e infermierët.

“Nuk kemi asnjë projekt për spitalin e Prishtinës e as për rajonet tjera. Po ashtu, Ligji për Paga ka shkaktuar parregullsi te punëtorët shëndetësorë, konkretisht tek infermierët që nuk janë graduar sa duhet. Kjo po stimulon ikjen e infermierëve, andaj kjo rritje jotransparente që është bërë në SHKSUK ku administratës i është rritur paga duke kaluar edhe pagat e kirurgëve ka shkaktuar kaos të madh, kjo duhet të ndalet”, ka thënë ai. /Gazeta Shneta/

Vazhdon skandali me barna, MSH vitin e kaluar bleu barna me çmim 300 për qind më shtrenjtë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *