Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Hatixhe Latifi-Pupovci, ka deklaruar se do ta tërheq punimin e saj shkencor nga revista maqedonase “Open Acces Macedonian Medical Journal”.
Tërheqja e punimit vjen pas raportimit të Gazetës Shneta se shtëpia botuese “ID Design Press” gjendet në listën e Beall’s si publikues grabitqar.
“Tek pas publikimit të shkrimit të gazetës Shneta e pashë se “ID Design” paska qenë në Listën e Beallit dhe kjo më shqetëson shumë, pavarësisht faktit se në asnjë fazë të komunikimit me redaksinë nuk kam vërejtur se bëhet fjalë për revistë mashtruese”, ka shkruar Latifi-Pupovci në Facebook.
“Thjeshtë, nuk kam fjalë të sqaroj shqetësimin për pakujdesinë time! Punimin të cilin e kisha përgatitur me aq përkushtim, pjesë nga punimi im i doktoratës ta kem dërguar, pa verifikuar edhe publikuesin! Duket e pabesueshme se unë mund të kem bërë një gabim të tillë. Jam në mesin e vetëm 4-5 profesorëve që kanë ftuar publikisht kolegët që të kenë kujdes se ku publikojnë, në mënyrë që mbi ta të mos hidhet hija e dyshimit”, ka shtuar ajo.
Latifi-Pupovci ka thënë se organet e Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të Mjekësisë duhet ta “shohin me kujdes këtë revistë, për të vlerësuar nëse punimet e publikuara në të duhet të merren parasyshë në konkursin për personel akademik që do të shpallet këto ditë nga UP”.
Krejt në fund Latifi-Pupovci shpreson që veprimin e saj për tërheqjen e punimit do ta marrin si shembull edhe personeli tjetër akademik. /Gazeta Shneta/