Nga Agron Halitaj
Kishte qenë i veshur me mantel të bardhë kur i kishte cingëruar telefoni. Dikush në anën tjetër të linjës ia kishte dhënë një lajm që do t’ia ndryshonte ritmin e jetës. Kirurgu që kishte mjekuar ushtarët e UÇK-së gjatë luftës, po hynte në histori. Po bëhej kryeministri i parë i një vendi të administruar nga Kombet e Bashkuara, e që vazhdonte rrugëtimin drejt pavarësisë.
Ishte ky Bajram Rexhepi, burri nga Mitrovica, i cili, edhe pse ishte në strukturat drejtuese të PDK-së, nuk shihej me sy të keq nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova. Shpejt emri i doktorit u bë njëri nga dy emrat që pasluftës u thirr pa urrejtje nga kampet kundërshtare politike.
Bajrami ishte i hapur. Vërehej lehtë se nuk ishte gjithaq politikan. Nervozohej shpejt por komunikimin nuk e mbyllte. Në bisedë të lirë parapëlqente të mos fliste për punët e shtetit. Me qejf fliste për qen apo edhe për vetura. Ishte i dhënë pas Range Rover-it. Në humor, nganjëherë e thoshte, se shpejtësia mund t’i kushtojë edhe me jetë. Sëmundjen s’e përmendte.
Kishte guxim të përballej me turmat qytetare edhe kur ato e humbnin arsyen dhe bënin shkatërrime të pakontrolluara. Por dinte edhe ta ulte kokën kur dikush e kritikonte me vend. Imazhi i tij u zbeh në periudhat e mëvonshme të angazhimit në politikë.Si ministër i Brendshëm, ai u godit nga skandali i pasaportave, ndërkohë që një hije të keqe e la pas vetes me urdhrin për ta futur policinë brenda në Kuvendin e Kosovës.
Pakënaqësinë nuk ngurronte ta shprehte. Kështu veproi edhe me partinë së cilës i kishte shërbyer me vite rresht. Shprehte drojën se ajo po binte në duar të gabuara, prandaj edhe u tërhoq. E veshi sërish mantelin e bardhë deri në ditën kritike.
Sot, u vendos në banesën e përhershme.
Fjalët e mira për të nuk munguan nga ata që e njohën e që kishin punuar bashkë në kohë të caktuar. Rëndom kështu i trajtojmë të vdekurit – të ndershëm, të drejtë e që lënë boshllëk në jetën tonë. Pak rëndësi ka nëse jemi apo jo të sinqertë në atë që themi. Me rëndësi është që t’i zgjedhim fjalët më të mira, e pse jo edhe më prekëset. Ne duam ta kujtojmë të vdekurin si mik e bashkëpunëtor, pavarësisht raporteve që mund t’i kemi pasur në të gjallë.
Të tillë e kujtuan Bajramin sot e dje edhe liderët e shtetit. Por, cili prej tyre tregoi nëse e ka vizituar qoftë edhe një herë të vetme në këta katër muaj sa ka qenë i shtrirë në spital?
Padyshim se Bajram Rexhepi ka hyrë në histori si kryeministër i parë i Kosovës.
Mirëpo, në histori ai do të mbahet mend edhe si kryeministër i një shteti që nuk qe në gjendje të përkujdeset për të si për një burrështetas, por për shërimin e tij u përkujdes një shtet tjetër.
Shteti për të cilin luftoi e punoj u kujdes më shumë për varrimin me nder të tij. /Gazeta Shneta/