Dhimbje, vështirësi, sfida, kujdes i shtuar, këto janë vetëm disa prej peripecive që një grua kalon në nëntë muaj të shtatzënisë.
Sjellja në jetë e fëmijës është një nga momentet më të rëndësishme për gruan. Po aq është edhe për burrin që do të bëhet baba. Por përkrahja e tij në shtatzëni dhe lindje, do të lehtësonte sado pak vështirësitë e nënës.
Në disa vende të botës, pjesëmarrja e burrit në lindjen e gruas është e obliguar me ligj. Ndërsa në Kosovë përveç që nuk është e përcaktuar juridikisht, shumica e burrave as nuk e shprehin këtë dëshirë.
Megjithatë, është një spital që ua lejon burrave të hyjnë në sallën e lindjes dhe të përkrahin moralisht gratë e tyre.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, në repartin e Gjinekologjisë, burrat mund të jenë pjesëmarrës në momentin kur ata do të bëhen baballarë.
Dr. Sebajdin Gjini, shef i Obstetrikës në këtë spital, ka treguar për Gazeta Shneta për procedurën që duhet të ndjekë burri në këtë rast.
“Paraprakisht, bashkëshorti informohet për mekanizmin dhe procesin e lindjes, para hyrjes në sallë të lindjes ai obligohet të vesh dhe mbathë kalaqe, kapela, mantilin dhe maskën”, ka thënë Gjini.
Mjeku thotë se burri qëndron pranë gruas deri në momentin kur kryhet lindja.
“Bashkëshorti qëndron pranë gruas së vet gjatë tërë kohës deri sa të lind foshnja gjithmonë duke i dhënë përkrahje morale”, ka treguar ai.
Sipas Gjinit, nga numri i përgjithshëm i lindjeve që kryhen në këtë maternitet, 35 për qind e e burrave kërkojnë që të jenë prezent me bashkëshortet e tyre.
Një gjë e tillë nuk mundësohet edhe në klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. Drejtoresha Myrvete Paçarada ka treguar arsyet për çka nuk lejohet hyrja e burrave në sallën e lindjes.
“Nuk është e mundur teknikisht për shkak se klinika është e ndërtuar në atë mënyrë që nuk lejon hyrjen e burrave”.
“Për të hyrë një burrë në sallën e lindjes, duhet të kalojë nëpër dhomën ku qëndrojnë gratë e tjera dhe kjo mund të na sjellë probleme”, ka thënë Paçarada. /Gazeta Shneta/