Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë mjekëve të punojnë në sistemin publik e privat të shëndetësisë, bazuar në nenin 49 të Kushtetutës që flet për të “Drejtën e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit”.
Neni 41 i Ligjit për shëndetësi miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 13 dhjetor 2012, detyronte mjekët të zgjedhin të punojnë në spitalet publike ose private.
Gjykata hodhi poshtë pretendimet për nenet 18, 19 e 60 të Ligjit që flasin për kujdesin parësor, dytësor e financimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor. Rasti në Gjykatë u dërgua nga një grup deputetësh përfaqësuar nga Shaip Muja.
Gjykata Kushtetuese miratoi pretendimet se tri pika të nenit 41 të Ligjit për shëndetësi, që u kërkonin mjekëve të përcaktohen nëse duan të punojnë në sistemin privat ose publik shëndetësor, janë në mospërputhje me nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Neni 41 ka të bëjë me “Parandalimin e konfliktit të Interesit”, e pikat e hedhura poshtë nga Gjykata janë 1, 5 dhe 6.
Ky nen ishte më i debatueshmi dhe kundërshtohej kryesisht nga mjekët, sindikata e tyre dhe një grup deputetësh, prej nga u iniciua edhe procedura për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.