Gjatë shtatzënisë bebja rritet vazhdimisht dhe deri në fillim të tremujorit të tretë të shtatzënisë mund të mbajë çfarëdo pozite në barkun e nënës. Rreth javës së 32, bebja gati gjithmonë vendoset me kokë teposhtë që në gjuhën mjekësore quhet prezentim cefalik.
Nëse, vazhdon të ketë kokën tek brinjët e shtatzënës (pra t’i ketë vithet në pjesën e poshtme të mitrës së shtatzënës) kjo emërtohet në popull “si bebe e kthyer mbrapsht”, kurse në gjuhën mjekësore quhet prezentim me pelvik. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se diçka nuk është në rregull me beben tuaj!
Nëse bebja prezanton me pelvik kjo do të thotë se nëse lindja do të kryhet me rrugë vaginale, atëherë fillimisht do të dalin vithet ose këmbët e bebes, kurse në fund do të lind koka. Zakonisht në 97% të rasteve duke filluar nga java e 37 bebja prezanton me kokë.
Nga ky 3% që mbetet shumica janë prezantim me pelvik; shumë rrallë ndodhë që bebja të jetë e vendosur për së gjëri, pra pjesa prezantuese është dora ose krahu – kjo në gjuhën mjekësore quhet prezantim transversal.
Nëse bebja vazhdon të prezantojë me pelvik edhe pas javës së 37, atëherë gjasat janë shumë të vogla që pas kësaj jave të kthehet me kokë teposhtë. Ajo, është shumë e madhe dhe nuk mund të bëjë lëvizje aq të mëdha dhe të kthehet me kokë teposhtë (ndonëse teorikisht mund të kthehet edhe disa orë para se të lind, por kjo ndodhë jashtëzakonisht rrallë).
Nëse vazhdon të prezantojë me pelvik, atëherë mjeku mund t’ju rekomandojë që të bëhet rrotullimi i jashtëm i bebes (ose i ashtuquajturi versioni i jashtëm cefalik). Versioni i jashtëm cefalik bëhet për ta kthyer beben me kokë teposhtë në mënyrë që bebja të lindë me rrugë vaginale. Mjeku me të dy duart ushtron presion nga jashtë në kokën dhe pelvikun e bebes dhe përpiqet që ta rrotullojë me kokë teposhtë.
Versioni i jashtëm cefalik është i suksesshëm në 2/3 e rasteve nëse prezantimi është me pelvik, kurse nëse bebja është e vendosur në mënyrë gjerësore (transversal) versioni është i suksesshëm në mbi 95% të rasteve. Versioni i jashtëm cefalik është më i vështirë nëse është shtatzënia e pare, pra nëse ajo grua nuk ka lindur më parë.
Janë disa rrethana kur mjeku as që ju rekomandon versionin e jashtëm cefalik; versioni i jashtëm cefalik nuk guxon të bëhet nëse shtatzënia është me binjakë ose trenjakë, nëse keni placenta previa, nëse keni shumë pak lëng amnial ose nëse keni lindur më parë me prerje cezariane.
Si çdo procedurë tjetër edhe versioni i jashtëm cefalik mund të përcillet me komplikime të mundshme si për shembull mund të ndodhë shkolitja e placentës gjatë manovrimeve që bëhen për ta rrotulluar beben ose mund të vie deri te vuajtja e menjëhershme e shpejtë e bebes.
Nëse ndodhë një gjë e tillë atëherë urgjentisht duhet të kryhet lindja me prerje cezariane. Prandaj, versioni i jashtëm cefalik duhet të kryhet vetëm në maternitetet ku është e mundur që nëse paraqitet nevoja, urgjentisht të kryhet lindja me prerje cezariane.
Në ditët e sotme shumica e mjekëve as që e rekomandojnë versionin e jashtëm cefalik, sepse konsiderojnë se bebja mund të rrezikohet shumë nga kjo procedurë. Është e vërtetë se shumë pak shtatzëna të cilat kanë beben me pelvik vendosin të lindin me rrugë natyrale, prandaj edhe mjekët kanë gjithnjë e më pak përvojë në kryerjen e lindjeve me pelvik. Shumicën e rasteve gratë të cilat kanë beben me pelvik vendosin që të lindin me prerje cezariane.
Nëse dështon përpjekja për ta kthyer beben me kokë teposhtë, atëherë mjeku mund t’ju rekomandojë që lindja të kryhet me prerje cezariane. Nuk do të thotë se një bebe e cila prezanton me pelvik e ka të pamundur që të lindë me rrugë vaginale, por bazuar në studimet e shumta që janë bërë është parë që bebet të cilat lindin me pelvik kanë më shumë mundësi që të vuajnë gjatë lindjes.
Sido që të jetë, krejt varet nga konstitucioni i trupit të shtatzënës, nga madhësia e bebes dhe nga mënyra se si ka shkuar deri atëherë procesi i lindjes. Nëse bebja nuk është shumë e madhe dhe mjeku e vlerëson se mund të kryhet lindja me rrugë vaginale, atëherë ai mund t’ju rekomandojë që lindja të kryhet me rrugë natyrale.
/ Gazeta Shneta