Edhe pse dita kur e mori certifikatën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ishte njëra nga ditët më të lumtura të jetës së tij, për shkak të kontributit në luftën e fundit, doktori nga Peja, Mazllom Smajli, ka vendosur që ta kthej prapa këtë status.
Në një letër të dërguar kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL)-së së UÇK-së, Hysni Gucati, doktori ka treguar arsyet e tij se pse e ka ndërmarrë një veprim të tillë.
Keqpërdorimet, njollosja e statusit, manipulime me fakte, janë vetëm disa prej arsyeve kryesore që e kanë shtyrë atë ta marrë këtë vendim.
Më tutje ai ka shkruar se kohëve të fundit jemi dëshmitar se shumë individ janë infiltruar në OVL dhe kanë fituar statusin e veteranit të luftës, duke e kontestuar kontributin e tyre në luftë.
“I indinjuar me këto raste të cilat sa vinë e shtohen çdo ditë unë kam vendosur t’i mbrojë këto vlera. Pakënaqësitë e shumta në popull ma kanë forcuar bindjen dhe vendimin tim për distancim”, ka shkruar Smajli.
Për distanciminin nga statusi i veteranit, ka numëruar disa prej arsyet që e sollën deri te ky vendim:
– Degradim i vazhdueshëm i emrit të veteranit të luftës
– Njollosja e statusit të veteranit të luftës
– Pakënaqësitë e mëdha të shkaktuara nga pseudo – veteranët e luftës
– Shfrytëzimi i statusit të veteranit të luftës për interesa personale
– Kujdestari në përvetësimin e kontributeve të të tjerëve
– Manipulimi me të vërtetën ne formë të shkruar (kulminacioni i mashtrimit)
Thotë se sot më keqardhje dhe zemërthyer merr këtë vendim të largimit nga OVL. Ky veprim bëhet me qëllim të mbrojtjes së veteranit të luftës nga degradimi,njollosja, pakënaqësia, shfrytëzimi, përvetësimi dhe manipulimi me vlerat e luftës. Ky veprim mund të ndryshojë vetëm atëherë kur listat e veteranëve të pastrohen.
“Z. Gucati, duke besuar në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe në organizatën e OVL, unë mbes me shpresë se ju dhe OVL do të reflektoni nga këto pakënaqësi”, përfundon letra e doktorit pejan, Mr. Sci, dr, Mazllom Smajli. / Gazeta Shneta