Cirkumcizioni (syneti) është procedura kirurgjike për heqjen e lafshës së penisit.
Sot, dëshmitë shkencore përfundimisht na tregojnë përparësitë e synetisë së fëmijëve.
Sa është i shpeshtë cirkumcizioni?
Rreth një i pesti mashkull në botë është i bërë synet, më së shpeshti për arsye fetare (procedura bëhet pak kohë pas lindjes, ose deri ne pubertet), ndërsa më pak bëhet për arsye mjekësore kryesisht tek të rriturit.
Lafsha e ngjitur e cila nuk tërhiqet dot
Pamundësia e tërheqjes së lafshës tek fëmijët e porsalindur është fiziologjike (normale) për shkak të ngjitjeve të saj me kokën e penisit (glansin), të cilat ngjitje e mbrojnë shtresën sipërfaqësore (epitelin) e kokës së penisit nga dëmtimet korozive të urinës. Rreth 50% e djemve 1 vjeç e kanë lafshën e ngjitur me kokën e penisit, rreth 30% të djemve 2 vjeç, rreth 10% e djemve 4 vjeç dhe rreth 5% e djemve 10 vjeç.
Fimoza
Është ngushtimi unazor i lafshës së penisit në hapjen e saj. Kjo vjen si pasojë e infeksioneve të shpeshta të unazës së lafshës për shkak të pranisë së ngjitjeve të lafshës me kokën e penisit dhe për shkak të higjienës jo të mirë. Fimoza e vërtetë paraqitet me një unazë të bardhë, cikatriksiale (të fortë), të ngushtë dhe është e pazakontë para moshës 5 vjeçare, si dhe zakonisht paraqitet para pubertetit.
Fimoza është shkak i vërtetë dhe më i shpeshtë i cirkumcizionit me indikacion mjekësor. Simptomat të cilat paraqiten në këto raste janë, irritimi ose gjakderdhja në buzët e lafshës, therja ose dhimbja gjatë aktit të urinimit (dizuria) ose pamundësia për të urinuar. Ndryshimet që ndodhin në lafshë janë të njohura me emrin balaniti kserotik obliterant (BXO), që mund të jenë kanceroz nëse nuk trajtohet. Fimoza mund të parandalohet me programin ditor të trajtimit higjienik në kuptimin e tërheqjes së lafshës dhe banjave me çaj kamomili.
Parafimoza
Është një gjendje urgjente ku lëkura e lafshës kthehet rreth kokës së penisit dhe e shtrëngon atë. Prindi duhet urgjent ta dërgoj fëmijën tek kirurgu i fëmijëve, i cili duhet ta repozicionojë urgjent lafshën me gishta, ose duke e bërë një prerje në pjesën shpinore të lafshës ose duke realizuar cirkumcizionin urgjent.
Ballanopostiti akut
Kjo gjendje ka të bëjë me skuqjen dhe ënjtjen e lafshës dhe të kokës së penisit dhe me lirimin e një sasie të qelbit nga hapësira midis lafshës dhe kokës së penisit. Kjo është gjendje urgjente që kërkon pastrimin e qelbit nga ana e kirurgut të fëmijëve dhe pastaj trajtimi në të shumtën e rasteve vazhdohet në shtëpinë e pacientit nga ana e prindit me lecka lokale te njomura me çaj kamomili, si dhe me barna të lehta kundër dhimbjes (siç është paracetamoli, i cili mund të blihet në farmaci edhe pa reçetë). Më pastaj vlerësohet shkaku i cili ka sjellë deri në këtë gjendje. Cirkumcizioni rezervohet vetëm për rastet që përsëriten.