Gjatë ditës së djeshme u mbajt një grevë 8 orëshe në institucionet publike të shëndetësisë të organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.
Shumë pacient u kthyen mbrapsht duke mos marrë shërbime në ambulancat specialistike por edhe në klinika. Të tillë pati edhe në Klinikën e Onkologjisë ku pacientët e sëmurë nga kanceri, nuk morën kimioterapinë, shkruan Gazeta Shneta.
Kritika të shumta nga opinioni por edhe nga politikan, mori kjo klinikë e cila udhëhiqet nga Dr. Ilir Kurtishi – ish-kanditat për deputet nga radhët e PDK-së.
Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku është shprehur i zhgënjyer me kthimin e pacientëve në këtë klinikë. “Hallegjinjë me sëmundje kanceri, refuzohen për kimioterapi. Në ftohtësinë më të madhe njerëzore, kthehen mbrapshtë si mall. Arsye u thonë është greva. Ec e shpjegoja dikujt që përballet me jetë arsyet e tua për grevë. Në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet e jetës. Sepse greva s’mund të mundë njerëzoren. Është megjithatë një kufi. Sot, të dashtun mjekë, kaluat këtë kufi”.
“Keni çdo të drejtë të mbani inat; keni të drejtë të protestoni. Ju kanë mashtruar. Kanë luajtur me dinjitetin tuaj për një vit rresht. Ju kanë dhënë një ligj të padrejtë, të rrëzueshëm – e tash, mu atëherë kur u duhet destabilitet, ju përdorin si mjet. Por adresën e mllefit e keni gabim. Më së paku në këtë adresë i gjeni pacientët me kancer; të cilët juve ju shohin si heronj të fundit, e ato barna që i presin me javë rend si shpresë për më shumë jetë. E di këtë punë vet. Kam kaluar nëpër koridoret e tilla me familjarë më shpesh se ç’mund të kisha imagjinuar ndonjëherë”, ka shkruar Abdixhiku. /Gazeta Shneta/