Psikologu Esheref Haxhiu është një nga 14 konsujt e shkarkuar nga ministri i Jashtëm Glauk Konjufca. Këtë pozitë ai e kishte marr në kohën kur ministër ishte Behgjet Pacolli në Qeverinë PAN.
Haxhiu me anë të një reagimi në profilin e tij në Facebook është ankuar për këtë shkarkim duke thënë se ardhja e tij në këtë pozitë ka ndodhur përmes konkursit dhe vendimit të ish-ministrit Pacolli, shkruan Gazeta Shneta.
Ai ka thënë se madje për këtë pozitë kishte lënë punën në Ministrinë e Shëndetësisë ku kishte punuar si psikolog në departamentin për shëndetin e të burgosurve, si dhe në organizatën ndërkombëtare IOM.
Por profesionin e psikologut Haxhiu duket se nuk e ka ndërpre edhe pas shkuarjes në Doha të Katarit. Në një postim tjetër në profilin e tij më datën 3 shkurt të këtij viti, ai kishte njoftuar se ofronte këshilla online të cilat kushtonin 20 euro.
“Të dashur miq, dëshiroj të ju njoftoj se kam filluar të ofroj shërbime këshillimi online nëpërmjet Skype. Çmimi i një seance është 20 euro”, kishte shkruar Haxhiu në këtë postim, të cilin e ka fshirë gjatë ditës së djeshme. Ai kishte kërkuar nga miqtë e tij që ta shpërndanin këtë postim të tij në Facebook.
Tani psikologu po kërkon nga MPJ që ta rishqyrtoj vendimin për shkarkimin e tij duke e konsideruar si gabim. “Unë pres nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të sqaroj këtë gabim, si dhe të ndërmarr hapat e nëvojshme për riparimin e dëmit moral, profesional, material, publik, ligjor dhe human, që më është shkaktuar”, ka shkruar ish-konsulli në Doha të Katarit. /Gazeta Shneta/