Komuna e Lladrovcit do t’i ushqejë nxënësit me hamburgerë dhe pije në kanaqe. Kjo do t’i kushtojë buxhetit të komunës 18 mijë euro për 3 vjet, ndërsa mund të rrezikojë edhe shëndetin e nxënësve
Komuna e Drenasit e cila udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci i PDK-së, ka hapur një tenderë për ushqim më katër mars.
Kjo komunë do t’i furnizojë nxënësit me hamburgerë dhe me pije në kanaqe, gjatë aktiviteteve të ndryshme edukative arsimore, shkruan Gazeta Shneta.
Titulli i kontratës është “Furnizim me hamburgerë dhe kanaqe për nxënësit”, ndërsa nuk specifikohet se çfarë përbërje do të kenë hamburgerët apo çfarë pije do të përmbajnë kanaqet.
Hamburgerët mund të jenë me mish viçi apo pule, kripë-piper, keçap-majonez si dhe sallata, varësisht çfarë dëshironi të qitni.
Ndërsa kanaqet përmbajnë pije të gazuara si coca-cola, fanta, sprite apo edhe lëngje të tjera.
Duket se komuna e Lladrovcit ka menduar t’ua lë përbërjen sipas shijes së nxënësve.
Por kjo komunë nuk e ka menduar edhe rrezikun që mund të shkaktojnë ushqime dhe pije të tilla për nxënësit. Studimet e fundit kanë alarmuar për rrezikimin e shëndetit nga hamburgerët, ndërsa pijet e gazuara në kanaqe nuk preferohen për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit.
Përveç shëndetit, komunës së Drenasit kjo kontratë e cila do të zgjasë 36 muaj do t’i kushtojë 18 mijë euro për 9 mijë hamburgerë dhe 9 mijë kanaqe. Kjo i bie nga 1 euro për copë për secilin produkt. /Gazeta Shneta/