Kryeministri grek, Alexis Tsipras i ka bërë thirrje parlamentit grek të hetojë nëse dy nga paraardhësit e tij dhe tetë ish-ministra kanë pranuar ryshfete nga prodhuesi zvicëran i barnave Novartis.
Ish kryeministrat Antonis Samras dhe Panagiotis Pikrammenos, së bashku me guvernatorin e Bankës së Greqisë dhe me komisionierin për emigracion në BE, shihen si përfituesit kryesorë të ryshfeteve në raportin e përgatitur nga agjencia anti korrupsion.
Këto pretendime kanë tronditur shoqërinë greke që kur u zbardhën javën e kaluar. Sipas një ministri këto ryshfete tejkaluan shumën prej 50 milionë euro dhe rezultuan me shpenzime më tepër se 4 miliardë euro në sistemin publik shëndetësor.
Ndërsa kryeministri Tsipras tha të hënën se paratë do të ju kthehen popullit grek. ‘’Ne do të përdorim pushtetin tonë të ofruar nga ligji ndërkombëtar për të rimarrë paratë e vjedhura ndaj popullit grek deri në centin e fundit’’, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Në anën tjetër opozita i sheh këto akuza si të motivuara politikisht. Ndërsa e quajtën si ‘’teoria më e pamëshirshme dhe qesharake e komplotit të bërë ndonjëherë.
Kompania në fjalë Novartis pohuan se janë duke punuar me autoritetet greke dhe ato amerikane. ‘’Ne gjithashtu po e kryejmë hetimin tonë të brendshëm’’, thuhet në komunikatën e kompanisë me qendër në Bazel.
Novartis është përballur me hetime të ngjashme në vitet e fundit. Vitin e kaluar, Koreja e Jugut gjobiti kompaninë në vlerën 48 milion dollarë për ofrimin e ryshfetit për mjekët./Gazeta Shneta/