Kompania e dyshuar për vdekjen e pacientëve nga oksiduli, përfiton sërish tender për gaz

2019-07-11 në ora 07:25

Janë bërë gati dy vite që nga skandali i vdekjes së dyshuar të tre pacientëve në të njëjtën kohë në sallat operative në QKUK. Shkaktar për këtë ishte dyshuar gazi oksidul i prodhuar pa licencë nga kompania “Bubeari Komerc” në Kaçanik.

Për shkak të këtij skandali ishte arrestuar pronari i kompanisë Naser Guri. Ai u mbajt në paraburgim për tre muaj, pastaj u lirua në arrest shtëpiak pas dhënies së një garancie prej 30 mijë eurosh, shkruan Gazeta Shneta.

Por institucionet shëndetësore duket se nuk janë mbush mend nga ky rast. Kjo kompani sërish ka përfituar tender në vlerë 52 mijë euro nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Në publikimin e Njoftimit për Nënshkrimin e Kontratës, kompania e Gurit është shpërblyer me tender për furnizimin e IKSHPS-së me gaz medicinal si helium, argon, azot, oksigjen, butan dhe dioksid i karboni. “Bubeari Komerc” do ta furnizoj IKSHP-në me këto gazra për tre vitet e ardhshme.

Skandali i vdekjeve të dyshimta ende nuk është zbardhur nga organet e hetuesisë në Kosovë. Trupat e pajetë u patën zhvarrosur një javë pas vdekjes për t’iu kryer obduksioni. Mjekësia Ligjore në Prishtinë nuk kishte arritur të nxirrte përfundim dhe kishte kërkuar që të kryheshin analiza toksikologjike jashtë vendit. Prokuroria i ka dërguar jashtë vendit mostrat për analiza gjatë këtij viti.

Kujtojmë poashtu se për shkak të këtij skandali kishte dhënë dorëheqje edhe drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Dr. Curr Gjocaj. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *