Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), nisur nga rasti i fundit i abuzimit seksual i nxënëses nga Komuna e Drenasit, ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media
Aty u kërkua nga institucionet komunale të Drenasit që të ndërmarrim masa për të siguruar mbrojtje sociale për viktimën në fjalë. Gani Lluka nga KOMF, tha se ky rast i ka shtyrë ata që të ngrisin zërin dhe të dalin edhe me një konferencë të tillë.
“Kjo konferencë u shkaktua nga ngjarja e rëndë që u shkaktua në Drenas. Ne sot kemi filluar që t’i paraqesim qëndrimet tona si KOMF në lidhje me ngjarjen. Për këtë qëllim ne kemi thirr këtë konferencë emergjente për qëndrimin tonë lidhur me këtë çështje”.
Ndërsa drejtoresha e KOMF, Donjetë Kelmendi kërkoi që shërbime tu ofrohen edhe familjes për të siguruar një mjedis mbështetës.
“Është një qëndrim që e kemi edhe për rastin specifik, por në anën tjetër kur raste të tilla ka shumë. Ka raste kur po ndodh e kundërta dhe abuzimi po ndodh nga profesionistët. KOMF kërkon nga institucionet komunale të ndërmarrin masa për të siguruar mbrojtjen e viktimës”.
“Thirrja shkon për qendrën për punë sociale në Drenas. Shërbimet iu ofrohen edhe familjes për të siguruar që familja është në një mjedis mbështetës”. Aty iu bë thirrje edhe medieve që të jenë të kujdesshëm dhe mos të publikojnë imazhet e viktimës nga Drenasi.
“KOMF iu bën thirrje medieve që të mbrojnë personalitetin e viktimës duke mos shpërndarë imazhet e saj. Abuzimi seksual i fëmijëve është forma më e rëndë e abuzimit, e cila shkakton dëm psikologjik. Duke qenë që se raste të tilla po përsëriten atëherë si koalicion do japim edhe disa rekomandime që të ndalen raste të tilla”.
Aty u dhanë edhe disa rekomandime në mënyrë që të ndalen rastet e tilla. “MAShT duhet të angazhojë inspektorë të arsimit për parandalimin e rasteve të tilla”. KOMF i bën thirrje fëmijëve të raportojnë raste. “Shkollat duhet të bëjnë edukimin dhe ti mësojnë fëmijët për format e abuzimit. Duhet t’i mësojnë fëmijët që mos ta pranojnë çdo lloj forme të abuzimit”.
KOMF pati rekomandime edhe për Policinë e Kosovës. “Për Policinë e Kosovës, reagimi i menjëhershëm në rastet e abuzimeve. Procedimi me efikasitet të rasteve të tilla në rastet përkatëse. Intervistimi i fëmijëve viktima me praninë e prindit ose kujdestarit”.