Gjinekologia Aida Kumnova është një nga gratë më të suksesshme në Kosovë. Ajo ka themeluar klinikën e specializuar për trajtimin e infertilitetit në Gjakovë ‘European Clinic’. Rastet e saj të suksesshme janë të shumta dhe kjo fal aparaturave që përdorë për histeroskopi dhe laparaskopi.
Doktoresha Aida Kumnova e konsideron laparaskopinë si një prej çelësave për trajtimin e suksesshëm të infertilitetit. Laparaskopinë dhe histeroskopinë ajo i ka mësuar në Belgjikë dhe Itali tek profesor Massimo Luerti. Gjinekologia i quan art dhe kënaqësi punën me këto dy metoda të cilat sipas saj arrijnë suksese të mëdha tek pacientet që nuk kanë arritur ende shtatzëninë, shkruan Gazeta Shneta.
“Laparaskopia është një metodë e cila me anë të një kamere hyhet në kavitetin e abdomenit dhe me anë të monitorit vërehen si duken tubat, sa janë të kalueshme, a kanë ndonjë infeksion, ndonjë ngjitje e cila mund të lirohet, sa janë të lidhura me vezore, mitër, apo organe të tjera të abdomenit, për arsye se afër mitrës janë edhe zorrët e holla të cilat shpesh për shkak të inflamacioneve që janë në pelvik mund të shkaktojnë ngjitje dhe të pengojnë shtatzëninë”, shpjegon gjinekologia.
Ajo thotë se para të se shkohet në procedurave invazive për trajtimin e infertiltietit tek pacientet të cilat kanë më tepër se tre vite sterilitet, atëherë duhet të bëhet një laparaskopi të paktën eksplorative për t’i parë kanalet dhe vezoret. Por paraprakisht gjithmonë duhet të bëhet një histeroskopi.
“Nëse ne shikojmë në kavitetin e mitrës me kamerë, dhe ka raste kur vërehen polipe të cilat nuk shihen me ultrazë, ose rrjedhje të toksinave nga tubet në mitër të cilat pengojnë shtatzëninë. Nëse evitohen këto probleme atëherë pacientja do të ketë sukses në shtatzëni dhe nuk do të ketë nevojë për procedura tjera”.
“E mira e këtyre procedurave është se shihen kanalet nëse janë të kalueshme ose kanë ndonjë patologji. Nëse tuba është e inflamume dhe është e mbyllur te ato raste duhet të bëhet largimi në tërësi i tubës sepse kjo e pengon shtatzëninë. Ka shumë raste te të cilat është hequr një tubë dhe brenda 3-6 muaj pacientja ka mbetur spontanisht shtatzënë pa asnjë terapi”, ka deklaruar Kumnova.
Nëse një klinikë specializohet më shumë në trajtimin e infertiltietit, normalisht se edhe rastet e kësaj natyre janë më të shumta. Mjekja thotë se rreth 20-30 përqind e rasteve kanë nevojë të bëhet laparaskopia për arsye se ekzistojnë edhe metoda tjera paraprake.
“Infertiliteti është nëse një çift ka marrëdhënie seksuale 2-3 herë në javë brenda një viti dhe nuk arrihet koncepsioni, atëherë te këto raste duhet të trajtohet infertiliteti. Në këto raste bëhet incizimi i thellë i kanaleve dhe nëse kanalet janë mirë, atëherë s’ka nevojë për laparaskopi, mirëpo në rastet kur kalohen tre vite është më serioze dhe atëherë duhet të bëhet laparaskopi”.
Por përveç tubave, intervenimet me laparaskopi janë të rëndësishme edhe për vezoret. Nëse një paciente diagnostikohet me vezore policistike atëherë është shumë e rëndësishme që para se të futet në procedurën e in vitro fertilizimit, të provohet sërish me shtatzëni normale duke bërë ‘driling’. Kjo procedurë, tregon Kumnova, nënkupton shpuarjen e vezoreve me ‘kauter’. Pastaj pritet deri në 6 muaj me stimulim për t’u arritur shtatzënia spontane dhe kjo ka sukses në shumë raste, pa kaluar fare në procedurat e fertilizimit articial. Kjo është një standard i artë për pacientet para se të shkohet në fertilizimin artificial.
Gjinekologia Kumnova tregon se patologjitë më të shpeshta që hasen në procedurat e histeroskopisë dhe laparaskopisë janë ato të kavitetit të mitrës sesa ato të tubave. Më së shumti janë polipet endometriale, miomat të cilat mund të pengojnë zhvillimin e shtatzënisë, anomalitë e mitrës, septumet në mitër.
“Në vitin 2018 në një punim shkencor të Shoqatës Evropiane të Riprodhimit dhe Embriologjisë, është bërë një matje e kavitetit të mitrës nga brenda. Pra nuk matet më mitra në diametrin anteroposterior te krejt muskulit e mitrës, por vetëm të kavitetit të brendshëm të mitrës”.
“Kjo për arsye se kanë dal me punime shkencore që nëse kaviteti i mitrës është më i vogël se normal, atëherë duhet me histeroskopi të bëhet zgjerimi dhe në këto raste shanset për shtatzëni spontane janë shumë më të mëdha, por edhe te ato rastet kur dështimet e fertilizimit artificial janë të përsëritura duhet të bëhet hapja e kavitetit të mitrës pastaj vazhdohet me procedurat e nevojshme”, ka treguar mjekja.
Ajo thotë se patologjitë e hasura tek gratë kosovare nuk dallojnë shumë nga ato evropiane. “Nuk mund të themi se gratë kosovare kanë ndonjë veçori sa i përket këtyre patologjive. Këtë e kam vërtetuar edhe me anë të një punimi shkencor për polipet endometriale dhe prej 150 polipeve që janë analizuar nuk ka pasur ndonjë ndryshime në patologji me rezultatet e paraqitura nga Evropa. Kjo vlen edhe për anomalitë e mitrës”.
Mirëpo një problem tjetër që haset tek shumë gra kosovare mbi moshën 35-vjeçare është mungesa e rezervave orvariale. “Rezervat ovariale kanë filluar të bien shumë herët. Pacientet mbi moshën 35 vjeçare deri 40, para 10 vitesh nuk ka qenë kjo problematikë dhe tani duhet të jepet terapi shumë e madhe për t’u arritur shtatzënia”.
“Në Kongresin botëror të infertilitetit që ishim sivjet në Vjenë, tema kryesore ka qenë ushqyeshmëria. Kjo është një prej faktorëve kryesor që mundet me shkaktu infertilitet. Psh. mungesa e vitaminës D mund të rrit shanset për abort sepse formohen vezët që nuk janë kualitative për shkak të mungesës së kësaj vitamine, dmth përveç acidit folik”.
Mirëpo një patologji që për doktoreshën është alarmante, është infertiliteti mashkullor. Ky problem në Kosovë është me numrin më të madh në Ballkan. Kjo për faktin se burrat kosovarë e kanë spermën më pak kualitative.
“Në bazë të disa të dhënave fertiliteti mashkullor është më i madhi në Ballkan. Kjo do të thotë që meshkujt e Kosovës kanë spermën më jokualitative në këto vende. Disa institucione e krahasojnë spermogramin e burrave në Kosovë me burrat në Irak. Por e dimë që në Irak ka pasur më shumë luftime dhe më shumë uranium. Është e vërtetë që ende mund të kemi intoksinim me uranium nga lufta, mirëpo shoqata e gjinekologëve dhe Oda e Mjekëve duhet ta sensibilizoj më shumë këtë çështje sepse është alaramuese. Poashtu më tepër se 45 për qind të rasteve me probleme të infertilitetit, problemi është te burrat. Krahasuar me vendet evropiane është shumë numër më i madh”, ka thënë doktoresha.
Rëndësia e kualitetit të aparaturës
Suksesi i laparaskopi është shumë i madh, por kjo varet edhe nga kualiteti i aparaturës sepse instrumentet dhe imazhi duhet të jenë shumë kualitative që të mos bëhen dëmtime anësore.
“Ne punojmë me laparaskopin Medtronic dhe është full HD. Është një nga laparaskopët më të mirë që përdoren për infertilitet. Gjithashtu edhe instrumentet janë numër 1 në botë. Nëse laparaskopi dhe histeroskopi janë të mirë, atëherë shanset për sukses janë shumë më të mëdha. Ne kemi katër lloje të histeroskopisë dhe çfarëdo që kemi nevojë të punohet në kavitetin e mitrës atëherë i kemi të gjitha instrumentet e gatshme”, ka treguar doktoresha.
Ajo ka treguar edhe për rëndësinë e përdorimit të morcelatorit. “Histeroskopia për mua është art në vete dhe mua më ka dhënë shumë suksese dhe kënaqësi gjatë punës. Ne posedojmë histeroskopin bipolar, monopolar, office dhe morcelatorin. Ky i fundit është standard i art për punën me histeroskopi dhe për heqjen e miomave sepse shkakton lëndime minimale në mitër. Morcelatori bën morcelimin e miomës që për mu është shumë e lehtë me punu sepse nuk prishet vizioni i punës gjatë morcelimit të miomës sepse e kam komplet nën kontroll dhe nuk e lëndon aspak kavitetin e mitrës. Përderisa nëse hyjmë me elektrodë bipolare ne përveç miomës edhe muskujt e mitrës. Ndërsa morcelatori nuk mundet me bë morcelimin e muskujve por vetëm atë të indit fibrotik i cili është i miomës në mitër. Kjo është përparësia e madhe dhe poashtu ka shumë pak gjakderdhje”.
“Poashtu secili mjek që punon me histeroskopi është shumë e rrezikshme që të bëhet perforacion i kavitetit të mitrës dhe nganjëherë që nuk e dimë sa jemi pas larg dhe mund të bëhet perforacioni dhe të ndalemi në abdomen. Këto raste janë alaramante dhe duhet të bëhet hapja e pacientes dhe të bëhet qepja e mitrës në mënyrë që të mos humbet. Ndërsa morcelatori i ka dy mbrojtëse që nuk lejon perforacionin e mitrës”, ka shpjeguar gjinekologia.
Kumnova në fund bën thirrje tek pacientet që të mos kërkojnë shërim jashtë vendit pasi në Kosovë ka mjaft kuadro mjekësore që trajtojnë problemet e infertilitetit. /Gazeta Shneta/