Aparatura të vjetruara përdorin mjekët e Klinikës së Gastroenterologjisë në QKUK për diagnostikimin dhe trajtimin e një numri të madh të pacientëve. Disa prej këtyre aparaturave funksionojnë vetëm në mënyrë fibër e disa nuk funksionojnë fare
Ariana Ismaili
Në Klinikën e Gastroenterologjisë në QKUK numri i pacientëve që hospitalizohen shkon deri në 100 pacientë në vit, por shërbimet aty kryhen me vështirësi ngase përdorën pajisje shumë të vjetruara, të cilat klinika i ka huazuar nga Emergjenca. Këtë gjendje e ka alarmuar drejtori i kësaj klinike, Dr. Zaim Gashi. Ai deklaron se në këtë klinikë kryhen 512 gastroskopi, por me një aparaturë moderne, video-gastroskopike, sipas tij kjo shifër do të arrinte në 3000-4000 në vit, shkruan Gazeta Shneta.
“Të gjitha aparaturat janë vetëm fibër, jo me video si në vendet tjera. Deri para dy jave kemi punuar me një rektosigmoidoskop që mundëson ekzaminimin vetëm deri në 40 cm të zorrës së trash”, ka thënë Gashi. Mesatarja e ditëve që pacientët qëndrojnë të shtrirë në këtë klinik, është nga 10 deri 19 ditë, dhe 25% të të hospitalizuarve aktual vuajnë nga gjakderdhja nga trakti tretës i shkaktuar nga vetkonsumimi i tepruar e barnave.
“Vetmarrja agresive e barnave si p.sh aspirina, që janë të dëmshme për traktin tretës, po shkakton gjakderdhje të rrezikshme, kjo dhe patologji tumoriale përbëjnë shumicën e pacientëve”, ka deklaruar mjeku. Gashi ka bërë të ditur se tanimë pritet që klinika të furnizohet me pajisje të endoskopisë pas nënshkrimit të kontratës.
“Pasi që tenderi ka kaluar, shpresoj se do të pajisemi me mjete endoskopike moderne muajin e ardhshëm” ka shtuar ai. Poashtu, Gashi thekson se kjo klinikë ka kapacitet të mjaftueshëm dhe punon mirë përkundër vështirësive, pasi që aty për një vit kryhen 594 Komonoskopi, 1035 ekosonografi, 4358 vizita ambulative dhe rreth 1800 transfuzione të gjakut. /Gazeta Shneta/