Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu është mirë dhe në gjendje stabile pas intervenimit kirurgjik në zemër të kryer para dy ditësh.
Gjendjen e qëndrueshme shëndetësore të ish-Presidentit kosovar e kanë konfirmuar për Gazetën Express zyrtarët e Spitalit Amerikan në Prishtinë.
Ata bëjnë të ditur se Sejdiu shumë shpejt do të mundë të bisedojë më mediet, duke paralajmëruar edhe një konferencë të tij, gjatë ditëve të ardhshme, ku ish-Presidenti vetë do të tregojë për gjendjen e tij.
Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë së mërkurës ka pasur një ndërhyrje kirurgjike në zemër.
Gazeta Express një ditë pas operimit ka raportuar se atij i është bërë ndërhyrje në arterien koronare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Atij i është vendosur një arterie koronare, ose siç njihet ndryshe “by-pass”.
Ish-Presidenti i Kosovës, i cili kishte marrë postin më të lartë në vend pas vdekjes së Ibrahim Rugovës në vitin 2006, është operuar në Spitalin Amerikan në Prishtinë.
Sejdiu ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, duke ardhur në krye të saj në vitin 2006.
Nga pozicioni i Presidentit të Kosovës, Sejdiu kishte udhëhequr bisedimet për statusin në Vjenë, të cilat janë zhvilluar me palën serbe me ndërmjetësim ndërkombëtar, e që në vitin 2008 kishin rezultuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.