Qethja tek fëmijët është një veprim i pabazuar në asnjë të dhënë shkencore se kjo kinse i nxjerr flokët e rinj dhe më të shëndetshëm. Ky është arsyetimi që shumë prindër e kanë përdorur për të qethur fëmijët e tyre qysh në moshë shumë të hershme.
Por, jo vetëm që kjo qethje nuk i ndryshon flokun fëmijëve por sipas specialistëve është një dhunim psikologjik i tyre.
Sipas ekspertëve, fëmijët traumatizohen dhe dhunohen nga qethja e flokëve në nivel zero. Ky proces është i dhunshëm, me pasoja afatgjata në psiqikën e fëmijës. Fëmija e di se flokët janë organ.
E si e tillë, nëse lind nevoja se flokët duhen shkurtuar pak ( nëse bien ndër sy) , fëmija duhet përgatitur një muaj përpara. Fëmijës i flitet, i shjegohet derisa ai të jetë gati ta përballojë këtë proces, duke minimizuar prerjen në zero, dhe çdo lloj traume e mungese respekti ndaj tij.
Më kujtohen dhjetra fytyra fëmijësh të trishtuara kur janë bërë qel. E shumë prindër që i gënjenin teksa thoshin – sa e/i bukur je bërë. Fëmijët nuk janë budallenj. Ata e kuptojnë mjaft mirë që qethja e tillë i shëmton.
Shpjegimi shkencor rreth këtij fenomeni
Shkenca pranon se kjo qethje nuk ka asnjë efekt në trashësinë apo dendësinë e flokut. Flokët rriten përmes folikulit që gjendet brenda lëkurës së kokës dhe ajo që tentoni të bëni në sipërfaqe të kokës nuk ndikon aspak në zhvillimin e flokëve brenda folikulit.
Pasiqë flokët e rruara rriten sërish njësoj, mund të keni ndjesinë se janë më të trasha sepse skajet e qimeve pas rrojes apo prerjes, janë të gjatësisë së njejtë. Qimet individuale kalojnë përmes një cikli rritës dhe ndalues, gjë që është arsyeja pse qimet rriten në mënyrë natyrale dhe janë të gjatësisë së ndryshme.
Duhet të dini se ndodh që foshnjat të humbin një pjesë të flokëve apo edhe të gjitha, zakonisht rreth muajit të katërt. Qimeve të reja iu duhet pak kohë deri sa të rriten dhe kur të dalin, ato mund të jenë të cilësisë së ndryshme, madje edhe ngjyrë të re. Por, floku i fëmijës varet kryesisht nga faktori gjenetik, pra çfarë ka trashëguar nga prindërit. / Gazeta Shneta