Një analizë e re gjaku mund të parashikojë lindjet prematurë (lindje parakohshme) me një saktësi prej 75-80%. E njëjta teknikë mund të përdoret gjithashtu për të mësuar moshën e fetusit dhe datën e lindjes me një saktësi të njëjtë me metodën me ultratinguj, dhe e gjitha kjo me një kosto më të ulët.
Testi i zhvilluar nga një grup shkencëtarësh nga “Stanford University” mund të ndihmojë në reduktimin e problemeve që shkakton lindja prematurë, e cila prek rreth 15 milion foshnja çdo vit në të gjithë botën. Deri më tani doktorët nuk kishin arritur të gjenin një metodë të besueshme për të parashikuar nëse shtatzania do të përfundonte përpara kohe apo në kohë, dhe gjithashtu në shumë raste kishin dështuar në parashikimin e datës së saktë të lindjes, sidomos në vendet e botës së tretë dhe vendet në zhvillim ku resurset janë të pakta.
“Kjo punë vjen si rezultat i bashkëpunimit fantastik mes shumë studiuesve nga gjithë bota”, tha Dr. Stephen Quake, profesor i “Inxhinierisë Biologjike dhe Fizikës së Zbatuar” në Stanford. “Unë kam punuar së bashku me një grup studiuesish nga Stanford, dhe disa grupe shkencëtarësh nga Danimarka, Pensilvania dhe Alabama”, tha Quake.
Analizat matin aktivitetin e plaçentës, analizojnë materialin gjenetik të fetusit dhe nivelin e qelizave pa ARN që gjenden në gjakun e nënës, për të vlerësuar në mënyrë më të saktë moshën e fetusit dhe rrezikun e lindjes prematurë.
Duke pasur këtë informacion mjekët mund t’i përgatisin nënat e ardhshme për lindjen prematurë duke i siguruar fetusit gjithçka i nevojitet, në mënyrë që të minimizohen të gjitha problemet e mundshme që lindja prematurë shkakton./pernenat