Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar për masat që janë ndërmarr për parandalimin e përhapjes së virusit vdekjeprurës corona në Kosovë.
IKSHPK ka njoftuar se virusi është i rrezikshëm në rast të shfaqjes së komplikimeve të sëmundjes, sidomos për personat me imunodeficiencë dhe sëmundje kronike dhe mundësia e përhapjes së këtij virusi ekziston në çdo vend, në rast të kontaktit me burimin e infeksionit siç janë personat që vijnë nga vendet e prekura me këtë virus, transmeton Gazeta Shneta.
“IKShPK është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë. IKShPK/ Departamenti i Epidemiologjisë bënë mbikëqyrjen e rasteve gjatë tërë vitit, dhe përcjell situatën epidemiologjike”.
Instituti Kombëtar ka rekomanduar te të gjithë Drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësor që të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.
“Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (e dëshirueshme sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe IKShPK”, thuhet në njoftim.
Instituti ka kërkuar nga të gjitha institucionet shëndetësore që të vazhdojnë të zbatojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (2005).
Instituti Kombëtar do të informojë rregullisht Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën e Situatave dhe OBSh-në për ecurinë epidemiologjike të Novel Coronavirus (2019-nCoV) në Republikën e Kosovës.
“Në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është ekipi mjekësor, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse. Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.
Deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga ky virus në vendin tonë. /Gazeta Shneta/