Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një sërë veprimesh për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Veprimet e rekomanduara përfshijnë që nga komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimit social, vaksinimin, kontrollin, trajtimin dhe deri te kujdesi paliativ.
Cilat kontrolla zbulojnë kancerin e qafës së mitrës
Kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe mund të ndihen të shëndetshme. Kur kontrolli zbulon fazat parakanceroze, këto mund të trajtohen lehtë dhe zhvillimi i kancerit shmanget.
Gjithashtu, kontrolli mund të zbulojë kancerin në fazën e hershme kur trajtimi ka një mundësi të lartë për shërim. Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese: Papa testi, kontrolli viziv me acid acetik/VIA, testimi për HPV me rrezik të lartë si dhe kolposkopia.
Trajtimi
Depistimi në vetvete nuk ka asnjë vlerë parandaluese nëse nuk lidhet me trajtimin e rasteve parakanceroze të qafës së mitrës. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.
Në disa raste, pjesët jonormale duhen hequr që të mos përparojnë në kancer të qafës së mitrës. Gratë që janë trajtuar për parakancer të qafës së mitrës, duhet të ndiqen dhe të trajtohen pas 12 muajsh. Nëse më pas shenjat e kancerit të qafës së mitrës janë të pranishme, mundësitë e trajtimit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë. / Gazeta Shneta