Shkruan: Dr. Astrit Gashi, Klinika Obstetrike Gjinekologjike në QKUK
(Ky artikull është shkruar ekskluzivisht në kuadër të kampanjës vetëdijesuese të organizuar nga Gazeta Shneta dhe Klinika Obstetrike Gjinekologjike në QKUK)
A ndikojnë pesha e trupit të nënës dhe shtimi i peshës gjatë shtatëzanisë, në një shtatëzani dhe lindje me komplikime?
Gratë që janë nën peshë ose që kanë shtim të dobët të peshës gjatë shtatëzanisë janë në rrezik të rritur për kufizimin e rritjes së fetusit (bebit). Një marrëdhënie statistikisht e rëndësishme ekziston gjithashtu edhe midis shtimit të dobët peshës së nënës dhe lindjes së parakohshme.
Gratë që hynë në shtatëzani me peshë trupore të madhe (Obezitet), ato shoqërohen me një numër të madh rreziqesh si: rritje të numrit të abortit spontan, anomalive kongjenitale, diabetit gestacional (gjatë shtatëzanisë), hipertension gjatë shtatëzanisë dhe vdekjes intrauterine të fetusit (vdekje e bebit brenda në mitër), poashtu rriten gjasë për lindje me prerje cezariane, mundësi më e madhe për infeksione plagësh pas operacionit, sëmundjet tromboembolike më të shpeshta etj.
Shtimi i tepërt i peshës gjatë shtatëzanisë mund të çojë në një fetus (bebe) më të madh për moshën e shtatëzanisë (LGA), madje të vazhdojë kjo mbipesha e bebit edhe gjatë fëmijërisë.
Sa duhet të jetë pesha optimale e fituar gjatë shtatëzanisë?
Pesha optimale përcaktohet nga indeksi i masës trupore të gruas para shtatëzanisë apo në vizitë e parë, pastaj percillet pas çdo vizite pasuese.
Si kalkulohet Indeksi i Masës Trupore?
BMI (Indeksi i Masës Trupore) është i barabartë me masën në kilogramë (kg) pjestuar me gjatësin në metër katrorë (m2).
BMI(kg/m2) = pesha(kg) / gjatësia në m2
Shembull:
Pesha = 70 kg
Gjatësia = 168cm apo 1.68 metër2, shumëzohen 1.68×1.68 =2.82 m2
BMI (Indeksi i Masës Trupore) = 70kg/2.82m2=24.8 (peshë normale)
Kjo matje mund të realizohet edhe me kalkulator onile për BMI, njëri prej tyre është: https://www.nhlbi.nih.gov/health/educational/lose_wt/BMI/bmi-m.htm
Rekomandimet se sa peshë trupore lejohet të shtojë një grua shtatëzanisë në detaje përshkruhen në tabelen e më poshtme:
Cila është rritja mesatare e peshës së nënës gjatë shtatëzanisë?
Ajo do të duhej të arrihej rreth 12 deri 14 kg apo 27-31 pounds. Kjo rritje e peshës i atribuohet peshës së fetusit, peshës së placentës, lëngut amniotik, zmadhimit të gjirit, rritjes së vëllimit të lëngjeve trupore dhe reservave yndyrore të nënës etj.
Cila është dieta optimale gjatë shtatëzanisë?
Për shkak se kërkesat për energji në shtatëzani rriten përafërsisht 17% më tepër se tek gratë jo-shtatëzane, një grua me peshë normale në shtatëzani duhet të konsumojë një shtesë 300 kcal/ditë, më shumë.
Edhe pse marrja totale e kalorive ndryshon dhe është e bazuar në indexin e masës trupore, rekomandimi mesatar për një grua shtatëzanë është 2500-3000 kcal/ ditë. Gratë shtatzëna kanë nevojë përafërsisht për: 60 g proteinë në ditë, 10 g më shumë se kërkesat për gratë jo-shtatzëna. Proteina duhet të përbëjë 20% të dietës, yndyrnat 30%, dhe karbohidratet 50%. Burimet ideale të proteinave janë mishi pa dhjamë, peshku, mishi i shpendëve pa lëkurë, vezët, fasulet, bizelet etj. Karbohidratet duhet të kenë një indeks të ulët glicemik (p.sh., orizi i kafet, produkte të pjekura të gruritë, patate të ziera, perime jeshile etj.). Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka krijuar një faqe në internet ( www.choosemyplate.gov ) që mund të iu ndihmojë grave të bëjnë një zgjedhje të shëndetshme dhe të mësojnë se si të rregullojnë dietën e tyre gjatë shtatëzanisë.