Ministri në shkuarje i shëndetësisë Uran Ismaili ka dal sërish në konferencë për media ku ka folur për Kardiologjinë Invazive së bashku me menaxhmentin e QKUK-së. Ismaili, Sejdiu dhe Bekteshi kanë folur për gjashtë raste të suksesshme në kuadër të programit për trajtimin e Infarktit Akut të Miokardit brenda 120 minutave
Vetëm katër ditë pasi mbajti një konferencë për media në Ministrinë e Shëndetësisë ku foli për shifrat e shërbimeve në Kardiologjinë Invazive në QKUK, Uran Ismaili doli sërish para mediave për të folur për këtë klinikë. Kësaj radhe konferenca u mbajt në QKUK ku Ismaili u prezantua së bashku me drejtorin e SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, drejtorin e Kardiokirurgjisë Dr. Tefik Bekteshi dhe shefin e Kardiologjisë Invazive Dr. Agron Qerimi, shkruan Gazeta Shneta.
Katër zyrtarë, tre prej tyre doktorë, folën për 6 raste të trajtuara me sukses në kuadër të programit për trajtimin e Infarktit Akut të Miokardit brenda 120 minutave.
Drejtori i SHSKUK-së Dr Basri Sejdiu, tha se ky projekt është pilot në Prishtinë, ndërsa qëllimi është që të zgjerohet edhe në regjionet tjera. “Kardiologjia ka mundur edhe më herët të jetë në këtë nivel. Trajtimi i infarktit brenda 2 orësh e tejkalon edhe vendet e rajonit. Na bënë krenar sepse infarkti akut është një patologji shumë problematike në botë”, ka deklaruar Sejdiu.
Ministri Ismaili tha se stentimi 24 orësh ka shpëtuar jetë, ka kursyer buxhet dhe ka luftuar korrupsionin. “Këtij suksesi po ia bashkëngjitim edhe një sukses tjetër që ka të bëjë me trajtimin e sulmeve në zemër brenda 2 orëve. Kemi 6 pacientë që kanë ardhur në gjendje kritike brenda 2 orëve të para dhe nuk kanë pas nevojë me kërku ndihmë në institucione tjera. Stafi ka qenë i gatshëm edhe ka bërë trajtimin e tyre”, ka thënë Ismaili.
Drejtori i Kardiokirurgjisë Dr Tefik Bekteshi në anën tjetër ka bërë të ditur se për një muaj janë trajtuar gjashtë pacientë në një mesatare të kohës prej 78 minutash. Ai ka thënë se tre raste kanë qenë me komplikime por që sipas tij fatmirësisht të gjitha kanë shkuar mirë dhe në kuadër të programit vdekshmëria është zero. Sipas Bekteshit transporti i pacientëve është kryer për 16 minuta, ndërsa intervenimi është bërë për 12 minuta. Ai ka thënë se problemi më i madh qëndron tek koha e humbur nga momenti kur pacienti ndjen dhimbje deri tek paraqitja tek mjeku.
Dr. Agron Qerimi, Shef i Shërbimit të Kardiologjisë Invazive, tha se 4 nga pacientët, në të cilët është intervenuar në 2 orët e para, kanë qenë të komplikuara, 3 nga to me çrregullime të ritmit.
Ai përcolli një mesazh tek popullata, që në rastet kur kanë dhimbje gjoksi, të lajmërohen tek mjeku më i afërt dhe të bëhet EKG për verifikim. /Gazeta Shneta/