Klinika e Kardiokirurgjisë në QKUK është bërë me dy salla operative dhe me shërbimin e dytë të Kujdesit Intensiv. Këto dy shërbime janë përuruar sot nga drejtori i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Ismaili ka deklaruar se hapja e sallës së re do të mundësojë zvogëlimin e listës së pritjes së pacientëve, të cilët nuk do të kenë më arsye për të shkuar në spitale private.
“Deri më tani ne kemi operuar në një lloj presioni se sa ka qenë vetëm një sallë dhe në rast urgjence pacienti është dashur të pres për t’iu krijuar mundësia të hyj në operacion. Tani kemi një mundësi që me dy salla të operojmë dhe të mënjanojmë edhe listën e pritjes e cila ka shkaktuar që pacientët që kanë probleme me zemër është dashtë të presin me vite në mënyrë që të kryqet shërbimi i duhur”, ka deklaruar Ismaili, transmeton ekonomiaonline.
Ai ka shtuar se ky është edhe një lehtësim i madh edhe për personelin shëndetësor, për të kryer shërbime më të shpejta dhe cilësore për pacientët.