Përdorimi i multivitaminave gjatë shtatzënisë është një humbje kohe dhe parash, pasi nënat nuk kanë nevojë për to. Të paktën kështu sugjerojnë studimet e fundit.
Studiuesit e Institutit Buletini i Medikamenteve dhe Terapive thonë se nga vëzhgimi i të gjitha provave kanë parë se vitaminat shtesë apo të njohura si suplementare nuk përmirësojnë shëndetin e nënave apo të bebeve.
Por ata shtojnë se gratë shtatzëna duhet të marrin patjetër acid folik dhe vitaminë D, si dhe duhet të ndjekin një dietë të ekuilibruar sipas udhëzimeve të mjekëve. Ndërkohë prodhuesit e suplementeve thonë se një pjesë e konsiderueshme e grave nuk ushqehen siç duhet.
Hulumtuesit thonë se ka prova të forta për të mbështetur përdorimin e acidit folik në masën e 400 mikrogramë në ditë, në mënyrë që të mbrojë fëmijën në zhvillim nga anomalitë nervore apo të quajtura ndryshe defekte.
Kurse vitamina D sugjerohet të merret në masen e 10 mikrogram në ditë, e cila mbron kockat e nënës dhe të fëmijës gjithashtu. Sumplementi që konsiderohet i rrezikshëm gjatë shtatzënisë është vitamina A pasi mund të dëmtojë shumë fëmijën.
Një tjetër pikë e cila është gjithmonë e diskutueshme është sasia e ushqimit që gratë shtatzëna duhet të konsumojmë dhe pyetja është vërtetë duhet të konsumojnë për dy? Studiuesit thonë se kjo ide është një mit. Mjafton një dietë e ekuilibruar dhe e pasur me fruta të freskëta dhe perime, dhe konsumi i të gjitha ushqimeve në sasi normale. /Oranews.tv/