Në një spital në Turqi, sot ka ndërruar jetë shefi i Onkologjisë Prof.Dr. Agim Sallaku pas një sëmundjeje të rëndë. Ai luftonte prej vitesh me këtë sëmundje, ndërsa vetëm dy muaj më parë u rikthye në detyrë pasi u mendua se e kishte fituar luftën me këtë sëmundje.
Prof.Dr. Sallaku ishte prej vitesh shef i repartit të Onkologjisë në QSUT duke trajtuar mijëra pacientë të sëmurë me kancer raporton Periskopi transmeton Gazeta Shneta.
Biografia e Prof.Dr.Sallaku
Dr. Agim Sallaku, Prof.Asc., është lindur në Tiranë në vitin 1956. Shkollën 8-vjeçare dhe të mesme e ka ndjekur në këtë qytet ku edhe është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, si mjek i përgjithshëm, në vitin 1981.
Në Dhjetor të po këtij viti u emërua mjek pranë Departamentit të Radioterapisë në Shërbimin e Onkologjisë. Formimin profesional e ka vijuar me ndjekjen e studimeve pas universitare duke i bashkëngjitur dhe mbrojtjen e gjuhëve të huaja sipas kërkesave të kohës.
Në vitin 1990 mori detyrën e Shefit të Departamentit të Radioterapisë dhe prej vitit 1992 e në vazhdim ka kryer një sërë kursesh specializimi në fushën e radioterapisë onkologjike në shtete të ndryshme.
Prof.Asc. Agim Sallaku mban gradën Doktor i Shkencave prej vitit 1997 dhe titullin Profesor i Asociuar (2009) dhe më pas titullin Profesor. Përveç në shërbime të tij direkt me pacientë, kontributi i doktorit është i njohur në lëmin e literaturës mjekësore shqiptare.
Këtu ai është përfshirë si autor dhe bashkautor i shumë librave dhe teksteve mësimore në fushën e onkologjisë për studentë, postuniversitarë dhe mjekë, si dhe shumë artikujve shkencore në revista lokale dhe të huaja apo referateve në vend dhe jasht tij.
Ai është dekoruar me Çertifikatën e Mirënjohjes nga Ministria e Shëndetësisë me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe si një ndër figurat më aktive në fushën e onkologjisë shqiptare. Nën mbikqyrjen e Dr.Sallakut janë organizuar mbi 40 Konferenca Shkencore/ Gazeta Shneta