Shkruan: Dr. Henrik Zotaj
Tetori është vendosur si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.
Qëllimi është të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat. Kjo sëmundje përbën padyshim patologjinë më serioze të gjirit dhe një nga problemet më të rëndësishme për shëndetin e grave në përgjithësi.
Më shumë se 600 raste të reja me kancer të gjirit diagnostikohen çdo vit në Shqipëri, këto jo vetëm pranë Spitalit Onkologjik të Tiranës, por dhe në spitalet të tjera në Shqipëri, spitalet jashtë vendit etj., duke zënë vendin e parë si tumori më i shpeshtë te femrat në vendin tonë.
A është kanceri i gjirit një sëmundje e pashpresë!?
JO! Kanceri i gjirit është një sëmundje e rëndë, por jo e pashpresë. Në qoftë se kanceri i gjirit zbulohet në stade të hershme dhe mjekohet siç duhet është një sëmundje e shërueshme në shumicën dërrmuese të rasteve.
Rreth 80 përqind e grave në të cilat kanceri i gjirit zbulohet kur madhësia e tumorit është nën 1cm, mund të shërohen pothuajse plotësisht nëse mjekohet siç duhet.
Ndërkohë, që çdo zbulim i hershëm pavarësisht madhësisë së tumorit do të sjellë një mbijetesë dhe një cilësi jete të mirë për pacientët.
Faktori më i rëndësishëm nga i cili varet suksesi i mjekimit të këtij tumori është koha e zbulimit të sëmundjes, prandaj në shumë vende të botës organizohen fushata masive për depistimin e kancerit të gjirit tek gratë e shëndetshme. Por, në të njëjtën kohë duke i kushtuar një rëndësi të veçantë ekzaminimit klinik të gjirit, një vizite të personelit shëndetësor kryesisht te mjeku senolog, Onkolog ose mjeku i familjes, çdo dy ose tre vjet dhe duke filluar që pas moshes 20 vjeç dhe çdo vit pas moshës 40 vjeç.
Vetëkontrolli i gjirit
Vetëkontrolli është metoda më e thjeshtë dhe duhet bërë të paktën një herë në muaj, koha më e mirë është java e parë pas ciklit menstrual.
Çfarë duhet të kemi parasysh gjatë vetëkontrollit të gjirit?
Zakonisht duhet parë nëse kemi ndryshime të:
Strukturës; përmasave; simetrisë (asimetria) e gjirit.
Ndryshime të formes si: enjtje, formacione nodulare, gunga, thellime, rrudhosje të gjirit etj.
Ndryshime në pamjen e jashtme të lëkurës ose areoles si: tërheqje në brendësi, deformime të ndryshme si skuqje, plasaritje, ose si “lëkurë portokalli”etj.
Rrjedhje gjaku, qumështi ose sekrecione të tjera nga thithi.
Ndryshime të konsistencës, (fortësisë) në prekje, ndryshime të ndjeshmërisë etj.
Në çdo rast që vihet re një ose më shumë ndryshime, duhet të këshillohemi me mjekun e familjes dhe më pas me mjekun specialist.
Asnjëherë nuk duhet të shqetësoheni nga këto ndryshime në strukturën e gjirit, sepse shumica e këtyre ndryshimeve, shkaktohen nga patologji të gjirit por, që janë të parrezikshme për jetën, të tilla janë:
Çrregullime të natyrës hormonale; tumore beninje; formacione kistike (të mbushura me lëng); kalcifikuse; infeksione të ndryshme; gjendje inflamatore etj., të cilat shërohen me anë të trajtimit mjekësor.
Pas vetëkontrollit, mund të kryhet ekzaminimi imazherik, siç mund të jetë:
Ekografia e gjirit për të gjitha moshat; Mamografia e gjirit; (mbi moshën 39-40 vjeç), lastografi (ekografi e avancuar) ose MRI, nëse është e nevojshme.
Te gratë që kanë ose kanë patur të afërm me kancer gjiri, si: nëna, motra etj., këto ekzaminime bëhen çdo vit, ndërsa te pjesa tjetër e grave dhe vajzave çdo dy vjet.
Kur dyshohet nga ekzaminimet imazherike, bëhen disa ekzaminime të tjera siç janë: Citologjia nën eko, më pas biopsia, markusit tumoralë dhe një sërë ekzaminimesh të tjera të nevojshme.
Përsa i përket faktorëve të riskut ato janë disa:
Ndryshimi i stilit të jetës që nga ushqyerja, ulja e aktivitetit fizik, konsumimi i alkoolit dhe duhanit, obeziteti etj.
Ndotja e të gjitha llojeve në mjedis dhe në bimësi
Predispozicioni familjar, me praninë e mutacioneve në gjenet BRCA1 dhe BRCA2 e cila rrit mundësinë me afërsisht 10 përqind te femrat që e mbartin këtë mutacion.
Streset dhe ngarkesat emocionale për një kohë shumë të gjatë
Përdorimi i kontraceptivëve orale
Lindjet e para mbi moshën 30 vjeç
Patologjitë e mëparshme beninje të gjirit.
Rrezatimet e të gjitha llojeve, për periudha të gjatë kohe
Menopauzat e vonshme etj.
Janë disa faktorë që duhet të na bëjnë të jemi më vigjilente në ruajtjen e shëndetit tonë.
Në përfundim:
Zbulimi në stade të hershme i kancerit të gjirit, është i barazvlefshem me shërimin e tij, prandaj duhet të mos kemi “frikë” dhe të mos neglizhojme vajtjen te mjeku për çdo dyshim apo ndryshim që vëmë re në gjirin apo organizmin tonë.
Të ndryshojmë stilin e jetës në të mirë të shëndetit tonë.
Të bëjmë vetëkontrollin, kontrollin klinik dhe imazherik të gjirit çdo vit ose çdo dy vjet.