2018-a, për Jona Spahiun ishte një vit jubilar në jetën e saj personale. Pas bashkëjetesës, erdhi menjëherë dasma dhe pak muaj pas saj, edhe Raiden, djali i parë i moderatores së njohur. Edhe pse ra në sy në muajt e parë të shtatzënisë, Jona nuk e ndau me publikun lajmin e pritjes së ëmbël, por zgjodhi që ta ruajë si një ‘koracë’ çdo ndjesi që po i vinte bashkë me të.
Megjithatë, pasi i biri erdhi në jetë, përmes rrjetit të saj në YouTube, Jona ndau pothuaj çdo fazë të pritjes së ëmbël, edhe për të ndihmuar të gjitha vajzat e reja që janë duke jetuar të njëjtën periudhë si ajo.
Pas rrëfimeve me shumë pyetje që i kanë ardhur nga rrjeti, pasditen e sotme, për herë të parë pas lindjes së djalit, Jona ishte e ftuar në “Rudina” për të treguar më shumë për të gjithë periudhën e saj më të bukur, mëmësinë, shtatzëninë, por edhe dasmën – atë ceremoni, të cilën, përveç shumë arsyeve, ajo zgjodhi ta bënte më shumë se për të gjithë, për të atin e ndjerë.
Pasi mësuan lajmin e pritjes së ëmbël, Jona dhe bashkëshorti i saj, Frenkli, organizuan një ceremoni private, e cila, me gjithë kujdesin e moderatores për të mos u ndarë publikisht, mori përmasa të tilla edhe për shkak të të ftuarëve dhe miqve të moderatores.
Siç rrëfeu Jona, e kishte ëndërruar, si të gjitha vajzat, fustanin e bardhë, donte ta vishte, edhe pse e kishte provuar në sfilata, nuk ishte njëlloj. Ndryshe nga Frenkli, i cili nuk është aspak natyrë publike dhe ceremoniale, Jona kishte dëshirë të kishte një kujtim të bukur të jetës së saj edhe për shkak të të atit.
“E doja shumë atë ceremoni… Im atë ka 6 vite që është ndarë nga jeta dhe, si çdo prind që do ta shohë fëmijën e tij të veshur me të bardha, ai nuk ishte për të më parë. Por nga ana tjetër, e bëra këtë edhe për kujtimin e tij dhe për ta respektuar. Sepse ai do më shihte edhe nga lart…”
Krenarinë dhe dobësinë e të atit për Jonën ia pohoi moderatores edhe pak minuta më pas e motra, e cila, në një videomesazh e falënderoi për gjithçka ajo ka bërë për familjen e saj, sidomos pas viteve kur i ati i la para kohe.
E rrethuar me dashurinë e njerëzve që do dhe e mbushur me dashurinë e nënës, Jona po shijon kohën me të birin brenda dhe jashtë shtëpisë, madje edhe tani që ajo ka nisur një biznes të ri, i cili i kërkon shumë impenjim. Por, në fund të ditës, asgjë nuk krahasohet me ndjesinë që i jep ajo krijesë engjëllore, para së cilës, të gjitha prioritetet që vendos jeta, thyhen./Class