Një mosmarrëveshje në trafik bëri që doktori Ilir Tolaj të kërkojë ndihmë mjekësore në QKUK. Tolaj u godit me shufër metalike, me ç’rast mori lëndime në kokë. Siç mëson Express, personi që e goditi doktorin është reperi i njohur Don Arbas, i cili lidhur me sulmin ndaj Tolajt, bashkë me një të afërm të tij, u shoqëruan për në stacionin policor.
E gjitha ndodhi rreth orës 14:00 në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, kur Tolaj kishte kërkur me sirenë të veturës që të lirohej rruga e bllokuar nga vetura në të cilën ishin Don Arbas dhe personi tjetër që ishte me reperin.
Përveç doktorit, me shufër metalike u godit edhe vetura e tij.
“E kanë sulmuar fillimisht makinën e tij dhe më pas e kanë goditur atë me shufra hekuri”, ka thënë Jasmina Tolaj, gruaja e Ilir Tolajt për Klan Kosovën.
“Ka marrë lëndime në kokë dhe për këtë është duke u trajtuar”, ka shtuar ajo.
Zyrtarë nga QKUK-ja kanë konfirmuar se Tolaj ka marrë lëndime në kokë dhe se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.
Policia e Kosovës njoftoi se po merret me rastin.
Ilir Tolaj është ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë./Gazeta Express/