Anemia nuk paraqitet në çdo shtatzëni, por shpesh lajmërohet në gratë shtatzëna kështu që mund të themi që 20% e shtatzënave e kanë aneminë.
Anemia në shtatzëni ndodh për shkak se fetusit për ndërtimin e qelizave dhe hemoglobinës i nevojitet hekuri, të cilin e merr nga nëna.
Shtatzënat zakonisht bëhen anemike në tremujorin e dytë të shtatzënisë, sepse atëherë rritet nevoja e foshnjës për hekur.
Anemia e lehtë nuk e rrit rrezikun për lindje të parakohshme, sepse natyra ka krijuar shumë mënyra se si ta mbrojë foshnjën nga pasojat negative të anemisë.
Nëse e zbuloni me kohë që jeni anemike dhe filloni me terapinë e përshkruar nga mjeku juaj për mungesë hekuri, atëherë nuk keni nevojë që të brengoseni.
Megjithatë, në disa raste, kur është fjala për anemi të rëndë, mund të ketë edhe komplikime:
- lindje e parakohshme,
- ndalim zhvillimi i fetusit/foshnjës,
- përkeqësim i gjendjes në humbjen e gjakut gjatë lindjes, ku vjen deri te transfuzioni i gjakut
- rrit mundësinë për infeksione gjatë lindjes.