Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, sërish është zotuar se pajisja e angiografit e blerë para disa vitesh me kredi nga Qeveria e Kosovës, do të vijë në Kosovë. Ky është zotimi i dytë i tij, pasi në shkurt të këtij viti kishte deklaruar se pajisja do të sillet në QKUK brenda tre muajsh.
Ismaili sot ka vizituar hapësirën ku do të vendoset angiografi në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive. Ai ka deklaruar se ky projekt do të përfundojë shumë shpejt, dhe po aq shpejt do të vijë pajisja.
“Po e bëjmë edhe një hap para për ofrimin e shërbimeve të nevojshme për qytetarët tanë. Të gjitha punët do të përfundojnë shumë shpejt dhe kjo paijsje do të vihet në shërbim të pacientëve”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton Gazeta Shneta.
“Me zgjidhjen e këtij problemi do t`i kursejmë miliona euro për pacientët tanë dhe do të ofrojmë shërbime në çdo kohë, 24/7. Ky aparat do të mundësojë ofrimin e shërbimeve për sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut”, ka shtuar Ismaili. /Gazeta Shneta/