Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili e ka pranuar se ky institucion ka blerë barna me çmime deri 300 për qind më të larta gjatë mandatit të tij. Por ai ka thënë se nëse llogaritet periudha për krejt vitin 2018 del se MSH ka kursyer 6 milionë euro në blerjen e barnave
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka dal sot me një konferencë për media ku ka folur për raportin e vitit 2018 të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ky raport e ka vlerësuar pozitivisht performancën e MSH-së nga viti 2017, duke zbatuar mbi 50 për qind të rekomandimeve.
Ismaili ka thënë se ky raport vë në pah luftën e tij kundër korrupsionit në MSH, ndaljen e çmimeve abuzive të barnave dhe ndaljen e keqpërdorimit të buxhetit për udhëtime zyrtare. Në fakt çmimet abuzive kanë vazhduar edhe në mandatin e Ismailit dhe ai këtë nuk e ka mohuar, shkruan Gazeta Shneta.
Në muajin shkurt të këtij viti Gazeta Shneta ka raportuar për blerje të barnave për hemodializë me çmime deri 300 për qind më shtrenjtë në dy kontrata të negociuara. Këto çmime abuzive ishin theksuar edhe në një raport të auditorit të brendshëm të MSH-së, ndërsa një muaj më vonë u konfirmuan edhe nga një raport i monitorimit të Institutit Demokratik të Kosovës.
Vazhdon skandali me barna, MSH vitin e kaluar bleu barna me çmim 300 për qind më shtrenjtë
Ismaili ka deklaruar se ky raport i adutimit ka qenë për një periudhë të caktuar, ndërsa sipas tij nëse llogaritet krejt viti 2018 del se MSH ka kursyer rreth 6 milionë euro.
“Raporti i auditorit ka qenë për një periudhë të caktuar, ndërsa kur është kryer raporti për gjithë vitin ka dal se realisht ne kemi blerë barna më lirë sepse kemi vendosur çmime referente. Pikërisht në ato raste kur është konsideruar që është blerë më shtrenjtë nga raporte të pjesshme, çka ka vrejtur edhe auditori i përgjithshëm është se politika e çmimeve referente ka kursyer rreth 6 milionë euro të ministrisë, ndërsa do të kursej afër 10 milionë euro në blerjen e barnave në barnatore. Tani Udhëzimi Administrativ për çmimet është në fuqi dhe nuk varet më nga ministri apo një zyrtari që vendos vet se me çfarë çmimi do të blejë”, ka deklaruar Ismaili.
Të dy kontratat ku ishte konstatuar blerja e barnave me çmime shumë më të shtrenjta sesa ato të tregut, kanë qenë të negociuara me vetëm një kompani farmaceutike. Kontratat ishin realizuar si emergjente, ndërkohë që zyrtarët përgjegjës të MSH-së dhe FSSH-së kishin qenë të njoftuar me kohë për mungesat e këtyre produkteve.
Gazeta ka raportuar poashtu se si këto kontrata ndonëse ishin me vlerë të madhe, ishin nënshkruar nga vetëm zyrtari i prokurimit e jo nga ministri ose sekretari i MSH-së siç edhe e përcakton Ligji i Prokurimit Publik. /Gazeta Shneta/