Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësi, për rastin e kryerjes së abortit të detyruar së vajzës nga Drenasi nga pjesëtari i Policisë së Kosovës. Aborti u krye në ordinancën “Kestrina” e Dr. Fahmi Ahmeti, e cila u konstatua se ishte pa licencë që nga muaji korrik i vitit të kaluar.
Besa Baftiu, kryetare e komisionit, tha se asnjë nga ministrat e Shëndetësisë nuk ka bërë sa duhet në këtë drejtim. Ajo ka thënë se duhet të ketë një udhëzim administrativ i cili përcakton licencimin e institucioneve shëndetësore. Baftiu ka pyetur ministrin Ismaili se sa po monitorohen këto institucione dhe nëse do të ketë shtim të numrit të inspektorëve shëndetësorë.
Ismaili ka deklaruar se në Kosovë janë të licencuara 1606 institucione private, nga të cilat 28 janë spitale. Ai ka thënë se obligimi mbi rilicencimin bie mbi vet institucionet private, duke hequr kështu përgjegjësinë nga ministria që drejton, shkruan Gazeta Shneta.
“Ato janë të obliguara që ta bëjnë rilicencimin dy muaj par ase t’iu skadoj licenca. Barra bie mbi ta dhe ordinanca që e ka bërë abortin ka qenë e palicencuar dhe është përgjegjësi e tyre. Nëse ne nuk arrijmë ta kryejmë në afatin e duhur, atëherë ne japim përgjegjësi”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka theksuar se ordinancës së gjinekologut Ahmeti i kishte skaduar licenca në muajin korrik. Sipas tij, me mos licencim mjeku ka rrezikuar edhe shëndetin e pacientes ndërsa ka shkelur edhe ligjin.
“Nuk mundesh ti me marr para prej pacientëve e me harru që t’ka skadu licenca. Ideja që kam harruar, nuk të përjashton nga dënimi”, ka deklaruar Ismaili, duke porosit kështu ordinancat private për rilicencim. Ministri ka shtuar se planifikon që vitin e ardhshëm ta dyfishoj numrin e inspektorëve.
Për këta të fundit, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se janë të diskriminuar me ligjin e ri për paga. Ndërkaq Avdyli ka thënë se MSH duhet t’i paralajmërojë institucionet private për skadimin e licencës.
Fatmire Kollqaku nga Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të investohet më shumë në parandalimin e aborteve të cilat po vazhdojnë të kryhet jashtëligjshëm në institucione private. /Gazeta Shneta/