Uran Ismaili do të lë zyrën e tij në ministri të Shëndetësisë, për ta zëvendësuar me një tjetër në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar.
Këtë e ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme në një konferencë për media në Institutin e Onkologjisë ku u promovua fillimi i shërbimeve me 24 orë, shkruan Gazeta Shneta.
Ai tha se javën tjetër do të jetë një ditë pune në një nga hapësirat e Zyrës së Bordit Drejtues të SHSKUK-së, ku dëshiron të qëndrojë më afër problemeve të personelit mjekësor.
“Nuk e kam vendosur ende, por është një tentativë e imja dhe Bordit të SHSKUK-së që të vendosem për një ditë pune në hapësirën e SHSKUK-së, në pjesën ku është Bordi që të jem më afër tyre dhe që ta dinë se e kanë përkrahjen direkte”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka paralajmëruar të gjithë personelin se kushdo që mobilizohet për të punuar, do ta ketë përkrahjen e tij.
“Shëndetësia ka mbetur prapa për një kohë të gjatë dhe nuk kemi kohë për të humbur dhe kushdo nga ne që është në gjendje që të mobilizohet ne do ta përkrahim”, ka shtuar Ismaili. /Gazeta Shneta/