Uran Ismaili i PDK-së e ka nënshkruar sot Listën Esenciale të Barnave në një ceremoni në hotelin me 5 yje Swiss Diamond, e cila më shumë kishte karakter të mitingut politik sesa fundin e një procesi që ministri i shëndetësisë e ka pasur për obligim ta kryej. Në këtë tubim mori pjesë edhe pacientja e mitur Y.L.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës është zhvendosur përkohësisht sot në hotelin me 5 yje në Prishtinë ‘Swiss Diamond’. Në këtë hotel u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Listës së re Esenciale të Barnave, e cila më shumë kishte karakter elektoral të Partisë Demokratike të Kosovës sesa përfundimin e një procesi të zgjatur dhe obligues të ministrit Uran Ismaili, shkruan Gazeta Shneta.
Salla ‘Diar’ e këtij hoteli u mbush me zyrtarë, militantë dhe personel të QKUK-së që janë të afërt ose zyrtarisht në PDK ku përfshihen shefa të administratës së QKUK-së, drejtorë të klinikave në mesin e të cilëve janë edhe kandidatë për deputetë, drejtorë të spitaleve të përgjithshme, etj. Në krye të vendit ishte edhe shefi i tyre Kadri Veseli. Ndërkaq Komiteti Teknik i specialistëve që kanë punuar në revidimin e LEB-it mbetën në planin e dytë.
Fjalën i pari e mori Sekretari i MSH-së Dr. Naim Bardiqi. Ai tha pas shqyrtimit të aplikacioneve të shumta për barna, janë përmbledhur barna nga lista e cila është në fuqi aktualisht dhe propozime të reja nga palë të ndryshme. “Komiteti ka marr në konsideratë rëndësinë e barit për shëndetin publik, efikasitetin klinik, sigurinë e barit, kost-efektivitetin”, ka thënë Bardiqi.
Ai ka shtuar se lista e re ka rreth 100 barna të reja dhe ka shumë përparësi tjera me listën e vjetër. Sipas tij kjo listë ka eliminuar edhe specifikat që në të kaluarën kanë shkaktuar shumë keqkuptime dhe parregullsi.
Drita Qosaj nga Shoqata për Sëmundje të Rralla ka thënë se përfshirja e barnave për këta pacientë është shumë me rëndësi pasi barnat janë shumë të kushtueshme. “Shumica prej këtyre pacientëve kanë qenë barrë për familjet e tyre”, ka thënë Qosaj. Edhe Labinot Demi nga Shoqata e Sklerozës Multiple ka falënderuar mjekët dhe ministrin Ismaili për përfshirjen e kësaj kategorie në Listën Esenciale.
Pas Demit u bë një improvizim me arsyetimin e ndryshimit të agjendës. Në skenë u thirr pacientja 13-vjeçare Y.L. e cila vuan nga sëmundja e fibrozës cistike. Dikush nga stafi i Ismailit u kujdes që vogëlushja të hipte mbi një paketë që të dukej më e madhe. Ajo foli në emër të fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje, për komplikimet dhe vështirësitë e familjeve për trajtimin e sëmundjes. Vogëlushja tha se deri më tani ka shitur piktura për të mbuluar shpenzimet e sëmundjes, ndërsa në fund falënderoi ministrin Ismaili.
Ky i fundit doli në skenë i emocionuar ku tha se Lista e re do të hyjë në fuqi menjëherë, por nuk tregoi se në bazë të çfarë kompetencave ligjore e ka nënshkruar atë duke qenë ministër në largim. Ai tha se ky proces nuk ka qenë i thjesht pasi ngërthente nevoja të shumë qytetarëve. “Sot ua kemi kthyer mundësinë qytetarëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme që ato barna t’ua japim falas”, ka deklaruar Ismaili.
Krejt në fund foli edhe shefi i Ismailit, kryetari i PDK-së Kadri Veseli i cili lavdëroi punën e ministrit Ismaili, e madje e quajti moment historik. Veseli e krahasoi pacienten e mitur me politikanët duke i thënë se “ti ishe më e mirë sesa ne se fole pa emocione”.
Kujtojmë se gjatë mandatit të Ismailit në ministrinë e shëndetësisë, furnizimi me barna nuk është përmirësuar fare në spitalet publike. Përveç mungesës së shumë produkteve, në disa raste ka pasur edhe pezullim të operacioneve për shkak të mungesës së anestetikëve në sallat e operacionit. /Gazeta Shneta/